Si u shmang ngjyra kuqezi nga flamuri i Kosovës në pesë variantet brenda një jave

Si u shmang ngjyra kuqezi nga flamuri i Kosovës në pesë variantet brenda një jave

10:45, 17/02/2023

Kosova po rritet. 15 vjet i bëri sot si shtet. Entuziazmi për shtetin e ndërtuar si rezultat i sakrificave sublime, reflektohet te të gjitha gjeneratat. Dashuria ndaj shtetit dhe simboleve tona po rritet, kjo edhe nga sukseset e shumta në emër të këtij flamuri nga sportiste e artiste.

Ideatori i flamurit të Kosovës për Syri net Kosova ka shpalosur detaje mjaftë interesante që nga ideja, procesi i punës e deri te finalizimi i flamurit.

Muhamer Ibrahimi (Trimi) ka thënë për Syrin se dizajnimi i flamurit të shtetit kosovar, i ka marrë kohë plot 5 javë, brenda të cilave ai ka përgatitur disa versione sipas standardeve, të cilat ishin kërkuar.

“Pas shpalljes së konkursit, kam punuar diku rreth një jave ne 5 versione qe kam menduar se i plotësojnë kriteret artistike ndaj kërkeseave që kanë qenë të publikuara në konkurs. Njëri ndër këto versione është flamuri që tani e përfaqëson vendin”, ka thënë ai.

Image

Më poshtë lexoni intervistën e plotë:

Syri.net Kosova: Si lindi ideja për flamurin e Kosovës dhe cili është kuptimi i tij në tërësi?

Disa vite pas çlirimit filloi të flitet dhe të përgatitet opinioni që Kosova duhet të përfaqësohet me një flamur tjetër nga flamuri kombëtar që ne e përdornim, ndërsa zyrtarisht paraqitej me simbole të OKB-se pasi që ishim në protektorat.

Kohë para shpalljes së pavarësisë u organizuan edhe ekspozita me versione të ndryshme të flamujve, që do të mund ta përfaqësonin Kosovën. Në atë kohë, shpesh prezantoheshin versione të ndryshme. Unë pasi që merresha me dizajn kam provuar forma dhe ide se si mund të beja ndonjë version të flamurit.  Ide për dizajn te flamurit kam patur ne atë kohe para se të shpallet konkursi, por pasi u publikua konkursi pak a shume ngjyrat dhe elementet me të cilat do të mund të paraqitej Kosova i pata të qarta. Kuptimi i flamurit është qëllimi i Kosovës për integrim ne institucionet Euro-atlantike. Harta me ngjyrë të artë simbolizon pasurinë e vendit në çdo kuptim, yjet simbolizojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Syri.net Kosova: Sa kohë ju është dashur të punoni rreth idesë dhe realizimit deri në fund?

Pas shpalljes së konkursit kam punuar diku rreth një javë ne 5 versione qe kam menduar se i plotësojnë kriteret artistike ndaj kërkesave që kanë qenë të publikuara në konkurs. Njëri ndër këto versione është flamuri që tani e përfaqëson vendin.

Syri.net Kosova: Duke qenë se ngjyra e kuqe na ka simbolizuar ndër vite si shqiptar, edhe flamuri shqiptar edhe ai i UÇK-së pjesë e të cilës ishe edhe ti kanë ngjyrë të kuqe, pse nuk e keni parë të arsyeshme të përfshini atë në flamurin e Kosovës?

Si shqiptarë ngjyrat kuq e zi vazhdojnë të simbolizojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. UÇK ka çliruar vendin nën flamurin kuq e zi pjesë e të cilës isha edhe unë. Por, me kohë rrethanat politike evoluan dhe shpallja e Kosovës shtet të pavarur u bë në koordinim më aleatët jetikë që na ndihmuan në çlirimin e vendit, një ndër kushtet për shpalljen e pavarësisë ishte edhe ai që flamuri duhej të jetë neutral dhe mos të ishte I përafërt me flamurin kombëtar, me flamuj që janë të përafërt me ndonjë nga minoritetet tjera që jetojnë në Kosovë. Dhe sipas këtij kushti është shpallur konkursi, me këto kritere, e ato ishin qe nuk duhet t'ju përngjajë flamujve apo stemave të partive politike, lëvizjeve politike, që implikojnë besnikëri ndaj komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë, të mos përdoren shqiponjë, simbole të etineve tjera apo simbole të shteteve tjera. Të mos përdoren kombinime të ngjyrave kuq e zi, kombinime te ngjyrave kuq – bardh – kaltër trengjyrëshi sllav. Që të jetë unik dhe origjinal, të jetë lehtë i dallueshëm të pasqyrojë qëllimin e Kosovës për integrim ne institucionet euro-atlantike.

Po mos të ishte konkursi me këto kritere, padyshim që do t'i kishim duart e lira që të përdorim çfarëdo ngjyre që do të shihnim të arsyeshme.

Syri.net Kosova: Është përfolur mjaft shumë kjo ide në të njejtën kohë shumë qytetarë e kanë kritikuar, cila është përgjigja juaj për këta zëra?

Është përfolur se disa e kanë kundërshtuar e në të njëjtën kohë në fillim është pritur shumë mire, gjë që nuk e kam menduar që do ta përqafojnë aq shpejt. Mirëpo, pas një kohe kishte edhe një fushatë të mospërkrahjes ndaj flamurit e që mendoj se ka ndikuar në një far mase. Por, tanimë kjo besoj se është tejkaluar dhe flamuri I Kosovës valon duke shkëlqyer dhe ngritët lartë nga heronjtë e ri të vendit tim e që janë sportistët, artistët, studentët e të rinjtë që I përfaqësojnë vlerat e Vendit.

Syri.net Kosova: Cili është trajtimi nga institucionet për ju si kreator i flamurit të Kosovës, a ju është vlerësuar puna nga ta?

Konkursi është përcjellur me një shpërblim monetar në atë kohë që të jetë formë vlerësimi për vendin e parë dhe institucionet më kanë trajtuar sipas zotimit në publikim me raste më ftojnë të jem pjesë e ndonjë eventi. Do të ishte më mirë që të kujdesen me një përkushtim më të madh ndaj simboleve që vende ku ndonjë stemë apo flamur me i vjetër apo që është grisur që të ndërrojnë me kohë, por besoj se kjo do të përmirësohet me kohën.

Syri.net Kosova: Cili është mesazhi juaj në përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës?

Për përvjetorin e 15-të Mesazhi im është që qytetarët e vendit tim perspektiven ta shohin këtu dhe jo të mendojnë ikjen dhe kërkimin e perspektives diku tjetër. Uroj që përvjetorët tjera të flasim për tema të zhvillimit të vendit dhe perspektives për të rinjtë.

Përfitoj nga rasti që të gjithëve të ju uroj ditën e pavarësisë

Gazetare: Aulona Sylaj, Agnesë Zeqiraj 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco