Zyrtari i NATO-s: Presim që Kosova dhe Serbia t’i qëndrojnë pas propozimit franko-gjerman

Zyrtari i NATO-s: Presim që Kosova dhe Serbia t’i qëndrojnë pas propozimit franko-gjerman

17:20, 13/02/2023

Zëvendësndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Colomina, tha në Beograd të hënën se NATO-ja mbështet propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se pret nga të dyja palët që t’i qëndrojnë pas.

Kolomina tha para gazetarëve, pas takimit që zhvilloi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, se ai ua ka përcjellë këtë mesazh “shumë të qartë” zyrtarëve serbë ndërsa shtoi se të njëjtën gjë do t’ua thotë edhe zyrtarëve në Kosovë.

“Ne e dimë se ka një propozim në tryezë, një propozim franko-gjerman, një propozim të BE-së. NATO mbështetë përpjekjet e BE-së në këtë drejtim. Unë ia kam përcjellë shumë qartë mesazhin presidentit Vuçiç dhe presim që Serbia të qëndrojë pas tij”, tha Kolomina, transmeton Danas.

Ai ndër të tjera theksoi se me Vuçiç-in ka biseduar edhe për situatën në rajon dhe se ia ka përcjellë një “mesazh lehtësues” për punën e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Unë i thashë se jemi të gatshëm të vazhdojmë zbatimin e mandatit të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përfshin ofrimin e një mjedisi të sigurt dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Misioni i KFOR-it nuk bazohet në kalendar, por në kushte në terren dhe do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa të ketë nevojë”.

Ndryshe, sa i pērket propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndonëse i njëjti u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, përmbajtja e tij nuk është bërë akoma publike.

Ky propozim, të cilin e pati publikur ekskluzivisht Albanian Post, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet ekskluzivisht njohja e ndërsjellë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco