Drecun: BE dëshiron formimin e Asociacionit sipas kushteve të Kosovës

Drecun: BE dëshiron formimin e Asociacionit sipas kushteve të Kosovës

10:43, 13/02/2023

Kryetari i të ashtuquajturit komision i parlamentit serb për Kosovën, Millovan Drecun, ka vlerësuar se “nuk e di cili është qëllimi i takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nëse ai nuk është i përkushtuar ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe themelimit të tij”, duke theksuar se qëndrimi i Beogradit është se “deri sa nuk krijohet Asociacioni nuk ka vazhdim të dialogut, as shqyrtim të propozimit evropian”.

“Është thënë qartë se fillimisht duhet të formohet Asociacioni e pastaj të vazhdohet dialogu, ka thënë Drecun për televizionin në shërbim të regjimit serb “TV Përva”, i pyetur nëse do të ketë së shpejti një takim mes Vuçiqit dhe Kurtit, siç po paralajmëron BE.

“Siç parashikon Marrëveshja e Brukselit dhe plani i zbatimit, duhet të mbahet një takim i nivelit të lartë për të shqyrtuar statutin e Asociacionit”, ka thënë ai.

“Megjithatë, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, as nuk iu përgjigj letrës së ekipit menaxhues, ku thuhej se ekipi ynë ka gati një draft statut, që tregon se ai nuk është i interesuar për Asociacionin siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukselit, por për një Asociacion tjetër më të pranueshme për Prishtinën. Unë nuk e shoh qëllimin e organizimit të një takimi në Bruksel nëse ai takim nuk i kushtohet Asociacionit dhe më pas të formohet Asociacioni”, ka pretenduar Drecun.

Ai ka pretenduar se Brukseli ka plane të tjera, andaj flet për faktin se brenda disa javësh duhet të organizohet një takim, për të zbatuar planin franko-gjerman, i cili, siç thekson ai, “në pjesët kyçe nuk është i pranueshëm për Serbinë”, përcjell Paparaci.

“Qëndrimi ynë është që derisa nuk realizohet Asociacioni, nuk ka vazhdim të dialogut dhe as shqyrtim të propozimit evropian”, thotë Drecun.

Në lidhje me kushtet për formimin e Asociacionit të paraqitura kohëve të fundit nga Kurti, ai vlerësoi se ato janë identike me atë që thotë propozimi franko-gjerman.

“Ai thotë fillimisht njohje ndërkombëtare, pastaj flet për të drejtat e pakicave kombëtare. Kështu thuhet edhe në propozim – së pari marrëveshja themelore, e cila nuk përfshin njohjen reciproke, dhe në fund përmendet se duhet të përmbushet gjithçka që është marrë vesh më parë. Kushtet e tij janë mjaft në përputhje me atë që thuhet në propozim. Ai është i kënaqur me planin që i është ofruar”, theksoi ai.

Drecun vlerësoi se zyrtarët evropianë nuk dëgjojnë çfarë thotë Beogradi.

“Mesazhi im për ta është të dëgjojnë më me kujdes, sepse ajo që thamë është diçka që përtej asaj nuk do të kalojmë. Ne nuk do të pajtohemi me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen e pavarësisë as de fakto as de jure”, nënvizoi ai.

Drecun theksoi se “pavarësisht presionit në rritje ndaj Serbisë, Kosova është një problem kompleks që nuk mund të zgjidhet shpejt, sidomos jo në bazë të asaj që ofron Perëndimi”.

“Ky nuk është një plan që do të mundësonte një zgjidhje afatgjatë, por do të na çonte në konflikte dhe incidente të reja”, theksoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco