Asociacioni në Kosovë mund të nxisë krijimin e asociacioneve të ngjashme në shtetet e rajonit

Asociacioni në Kosovë mund të nxisë krijimin e asociacioneve të ngjashme në shtetet e rajonit

14:22, 09/02/2023 Nga Albionë Zhitia

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ka nisur të ngjallë kërkesa që të ketë të tilla asociacione edhe në shtetet e rajonit, shkruan Syri.net Kosova

Është vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka pyetur se pse Serbia nuk ua mundëson Asociacionin njëetnik minoriteteve në Serbi, ndërsa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?

11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserbë. Asociacione njëetnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”.

Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjtë, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët.

Nxitur nga kjo deklaratë kanë ardhur edhe reagime në lidhje me këtë temë.

Është profesori i Shkencave Politike, Seb Bytyçi, që ka thënë se më e domosdoshme është krijimi i Asociacioni i Luginës së Luginës së Preshevës, se sa ai i serbeve në Kosovë, duke renditur edhe arsyet pse duhet kjo bashkësi.

Asociacioni i Luginës së Preshevës është më domosdoshëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për tri arsye:

1. Shqiptarët në Serbi nuk gëzojnë autonomi në nivel lokal dhe qendror siç gëzojnë serbët në Kosovë.

2. Në Luginë është duke ndodhur spastrim etnik administrativ i shqiptarëve nga shteti serbian.

 3. Fondi investiv i paraparë për komunat e Luginës, keqpërdoret nga shteti për investime kryesisht në zonat e banuara me serbë”, përfundon analizën  e tij Seb Bytyçi.

Në linjë të njëjtë me Kurtin e Bytyçin po del të jetë edhe deputeti shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi.

Kamberi po kërkon nga Serbia t’i zbatojë për shqiptarët të drejtat që kërkon për serbët në Kosovë.

“Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se Serbia duhet të zbatojë për shqiptarët, por edhe pakicat e tjera në Serbi, po ato të drejta që i kërkon për serbët e Kosovës. Ai thotë se Lugina e Preshevës do të jetë gjithnjë burim i problemeve, nëse çështja e saj nuk zgjidhet në marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaron Kamberi, shkruan Syri.net Kosova

  • Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë mund të nxisë krijimin e të tjera asociacioneve në shtetet e rajonit?!

Syri Kosova ka biseduar me profesorin e të drejtave ndërkombëtare Dritro Arifi në lidhje më këtë çështje.

Sipas Arifit, kjo gjë edhe mund të jetë nxitës që të kemi të tilla asociacione, por që përfitues kryesorë do të ishin shqiptarët.

“Po besoj që më krijimin e Asociacionit në Kosovë mund të ketë lëvizje në shtetet e rajonit për themelimin e ndonjë asociacionit apo autonomie të pakicave në ato shtete. Por në fund të ditës nga  logjika e thjeshtë na rezulton se në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të ishte më shumë në favor të shqiptarëve, pra duhet parë dhe në këtë drejtim. Shtete duhen të demokratizohen dhe të hapen, por pas çdo hapje të këtyre shteteve përfitues do të ishin shqiptarët, pra duhet parë edhe nga këndvështrimi kombëtar këtë çështje”, përfundon Arifi.

Në anën tjetër, politologu Gurakuç Kuçi duke folur për Syri.net Kosova ka theksuar se Kurti kur foli për gjashtë pika se si do ta pranojë ai themelimin e Asociacionit, asnjë moment në ato pika nuk e përmendi krijimin e një Asociacioni edhe në Serbi, për Luginën e Preshevës.

Qeveria e Republikës se Kosovës, gjegjësisht kryeministri i vendit ka dalë publikisht dhe ka pranuar planin franko-gjerman ku aty parashihet që të pranohen edhe gjitha marrëveshjet që janë bërë në të kaluarën. Po ashtu kryeministri Kurti në Kuvendin e Kosovës ka publikuar një draft 6 pikësh mbi cilat parime është i gatshëm që ta pranojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në ato 6 pika askund nuk përmendet çështja e shqiptarëve në Serbi, e sidomos e atyre në Luginë të Preshevës. Pra, sikur të donte të merrej dikush seriozisht me këtë çështje, në prezantimet e qeverisë, do të përmendeshin edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi, sepse ka shumë shqiptarë edhe jashtë territorit të Luginës së Preshevës”, shprehet Kuçi.

Tutje, ai shprehet se në këtë pjesë të Kosovës Lindore “ka kohë që ka filluar një etnocid administrativ ndaj shqiptarëve, atje nuk lejohen librat shqip nga Kosova dhe janë të censuruara në masë të heshtur çdo lloj mësimi patriotik shqiptar. Mirëpo, nga Kosova nuk është që është bërë ndonjë hap domethënës përveç që janë dërguar disa para mbi të cilat janë hedhur shumë dyshime se si janë dhuruar, pse janë dhuruar në atë formë dhe si janë shpenzuar”, thotë politologu Kuçi.

Për Kuçin, deklaratat e Kurtit janë vetëm lojë me ndjenjat e shqiptarëve në Serbi.

Sot, kur shohim që pasi bëhen pranime në tavolinat me ndërkombëtarët kemi disa publikime të cilat nuk zëvendësojnë qëndrimet zyrtare të takimeve me ndërkombëtaret e sidomos me pranimin e planit franko-gjerman pa rezerva dhe publikimit të 6 pikëshit, është një lojë me ndjenjat e shqiptarëve në Serbi.

Përderisa diplomacia e Kosovës nuk është angazhuar me kohë për këtë çështje, tani vështir se mund të bëhet diçka përveç propagandës dhe nuk është që mund të ua ndryshosh ndërkombëtarëve qëndrimet duke thënë se pse edhe Serbia nuk po krijon asociacione. Kjo për faktin se ndërkombëtarët më shumë synojnë realizimin e planeve strategjike gjeopolitike të shteteve të tyre se sa të drejtat demokratike të popujve në forma ekskluzive në Ballkanin Perëndimor. Qeveria si tani si në të kaluarën defenitivisht kanë dështuar në diplomacinë e Kosovës”, përfundon Gurakuç Kuçi qëndrimin e tij për Syri.net Kosova.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco