Valë zemërimi ndaj Hekuran Muratit pas fryrjes së tatimit në pronë

Valë zemërimi ndaj Hekuran Muratit pas fryrjes së tatimit në pronë

12:38, 24/01/2023 Nga Sh.A

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët e Prishtinës rreth ngritjes së çmimeve të tatimit në pronë, shkruan Syri.net Kosova.

Shtrenjtimin e këtyre çmimeve, qytetarët e kanë vlerësuar si të papranueshëm, sidomos në këtë kohë të inflacionit ekonomik.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave.

Tutje, nga komuna kanë theksuar se nuk kanë bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023.

"Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar shumë reagime rreth ngritjes së çmimeve të tatimit në pronë, e cila i është atribuuar Komunës së Prishtinës.

E kuptojmë plotësisht shqetësimin tuaj, por me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve rreth këtij procesi, ju informojmë se:

Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme", thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit.

Komuna e Prishtinës nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023", thuhet tutje në njoftim.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se kanë kërkuar nga Ministria e Financave që të bëjë rivlerësim për këtë rritje të çmimeve pas ankesa të shumta të qytetarëve.

‘Komuna e Prishtinës nuk ka bërë rritje të normave tatimore. Ajo çfarë ka ndryshuar është vlerësimi i pronave të Komunës së Prishtinës, vlerësim ky që bëhet nga Ministria e Financave, dhe rrjedhimisht kanë rezultuar me rritje të faturave të tatimit në prone. Ne kemi kërkuar rivlerësim nga Ministria e Financave, sidomos në këtë kohë krize’, tha Alban Zogaj, shkruan Syri.net Kosova

Vala e reagimeve

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një reagim ka zbardhur prapaskenat e dyfishimit të tatimit në pronë, kërkon pezullim të vendimit nga qeveria.

Bajrami ka kërkuar nga qeveria Kurti që ta pezulloj këtë vendim.

"Mënyra e llogaritjes së tatimit në pronë është paracaktuar sipas Ligjit Nr 06/L-005 për Tatim në Pronë dhe qytetarët duhet ta dinë se komunat në kohën kur po flasim nuk e kanë bërë asnjë veprim për rritjen e tatimit në pronë, por është Ministria e Financave Punës dhe Transfereve e cila sipas Ligjit Nr 06/L-005 për tatimit në pronë, Nenit 18 e ka për obligim që t’i bëj vlerësimet e pronave çdo 3 vjet, vlerësim të cilin se fundi e ka bërë në kushte të këtij inflacioni marramandës dhe ky vlerësim i fundit ka shpier deri të fryrja enrome e faturave të tatimit në pronë e cila me të drejtë ka nxitur reagim qytetarë", ka shkruar mes tjerash ajo.

Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar vendimin e Ministrisë së Financave për dyfishimin e tatimit në pronë.

Ai ka thënë se ngritja e tatimit nuk mund të arsyetohet në kohën kur kriza e rritje së çmimeve është me e madhja në 15 vitet e fundit.

Në profilin e tij në “Faceboook”, ai ka shkruar se 85 mijë të punësuar në sektprin publik nuk e dinë sa do ta kenë pagën në shkurt, por e dinë se faturat e tatimit në pronë i kanë të dyfishuara.

Për këtë rritje të çmimit ka reaguar edhe ekonomisti, Ujkan Bajra, i cili ka theksuar se kjo rritje është anormale.

Bajra ka sqaruar se vlera e vlerësuar e pronës për vitin 2023 është rritur gati 100% më shumë se dy vitet e mëparshme.

Këtë rritje anormale ai e cilëson si veprim të tmerrshëm.

Ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se rritja e çmimeve të tatimit në pronë është eksperimenti i radhës i ministrit të financave, Hekuran Murati, shkruan Syri.net Kosova.

Prestreshi ka theksuar se ky veprim i Ministrisë së Financave është ‘maskarallak’.

Tutje, ai ka shtuar se kjo rritje e çmimit të tatimit në pronë duhet ndëshkuar.

Pas reagimit masiv të qytetarëve se faturat e tatimit në pronë janë rritur 100%, ka reaguar edhe opinionistja Zana Avdiu.

Avdiu ka ironizuar duke “uruar” këtë rritje, e duke e shoqëruar edhe me disa, kritika të tjera.

Ajo ka thënë se ka dëgjuar se me Ligjin e Pagave, pagat do të zvogëlohen, e çmimet kanë shkuar në qiell, investimet gjithashtu janë zero, pagat pra, përtokë.

Ndryshe nga shumica e reagimeve, aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjonovci, e ka përkrahur vendimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për rritjen e tatimit në pronë.

Derisa një vendim i tillë po kundërshtohet nga qytetarët, Gjonovci ka përshëndetur këtë vendim.

Në profilin e tij në Faceboook, ai ka shkruar se vendimet e tilla janë goditje për mafinë e ndërtimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco