Për pagën minimale do të ketë trajtim më serioz e më përmbajtësor

Për pagën minimale do të ketë trajtim më serioz e më përmbajtësor

12:19, 16/12/2022

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, u deklarua para medieve sa i përket pikave të cilat do shqyrtohen në lexim të parë të enjten në seancën e radhës në Kuvend.

E pyetur se çfarë po ndodhë me projektligjin e pagës minimale, Kusari-Lila tha se ky projektligj do jetë në kuadër të trajtimeve në Kuvend, teksa theksoi se do i kushtojnë trajtim më serioz dhe më përmbajtësor.

“Ai projektligj është në kuadër të trajtimeve në Kuvend, për këtë duhet të shikojmë me Komisionin Funksional, në këtë rast Komisionin për Buxhet, pra siç e dini ka pasur debate, protesta e reagime të shumta në publik. Ne gjithsesi që duhet t’i kthemi me trajtim serioz dhe më përmbajtësor”, deklaroi Kusari-Lila.

Gjithashtu, ajo njoftoi se njëra nga pikat në shqyrtim do jetë debati parlamentar në lidhje me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022.

Teksa, përfshiu edhe shqyrtimin e projektligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhunën ndaj grave si dhe dhunën në baza gjinore.

“Përveç pikave të zakonshme, të enjten Kuvendi do e bëjë shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe fondit OPEK për zhvillim ndërkombëtar. Seanca do të shqyrtojë në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e agjencisë kosovare për krahasimin dhe verifikimin e pronës, shqyrtimin e projektligjit për bujqësi dhe zhvillim rural. Gjithashtu, seanca në lexim të parë do e shqyrtojë projektligjin për zhvillimin rajonal të balancuar si dhe shqyrtimin në lexim të parë të projektligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën në baza gjinore”, tha tutje Kusari-Lila.

Duke iu përgjigjur pyetjes pse është mbajtur kaq vonë debati parlamentar, Kusari-Lila tha se çdo vit pas prezantimit të raportit për vendin, mbahet diskutimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco