Hapi i parë i Kosovës për t'iu bashkuar familjes evropiane

Hapi i parë i Kosovës për t'iu bashkuar familjes evropiane

12:52, 14/12/2022 Nga Sh.A

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë nënshkruar sot aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nënshkrimi i këtij aplikimi është cilësuar moment historik për Kosovën, shkruan Syri.net Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë se ky është një moment historik për Kosovën.

“Bazuar në aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik dhe konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda BE-së, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë”, ka thënë Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me nënshkrimin e aplikimit, Kosova po shkon një hap më afër drejt Bashkimit Evropian.

“Sot është një ditë historike. 14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Në njërën anë po shënojmë aplikimin për anëtarësim në BE dhe në anën tjetër kemi përvjetorin e Ushtrisë së Kosovës. Së bashku me Konjufcën dhe Kurtin, në emër të Republikës së Kosovës po marrin një hap vendimtar drejt jetësimit të ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne sot po e sjellim Kosovën një hap më afër BE-së”.

Osmani ka thӕnë se për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër, ëndrrat bëhen realitet vetëm kur punohet dhe veprohet. Ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

“Ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës që sakrifikuan jetën dhe që u përballën padrejtësisht me gjenocid e okupim. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, vend i pluralizmit politik, Kosova e ekonomisë së tregut të lirë, e meriton të jetë pjesë e familjes së BE-së”, ka deklaruar Osmani.

Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca është deklaruar pas nënshkrimit, shkruan Syri.net Kosova

Konjufca është shprehur se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Sot është ditë vërtetë e rëndësishme për Republikën e Kosovës, meqë jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim që ta nënshkruajmë letrën e kërkesës në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Kryeparlamentari u shpreh se ky është i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE-së.

“Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt Bashkimin Evropian, një rrugë e cila ishte më të vertetë e gjatë dhe aspak e lehtë. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian nga i cili presim që t’ia rekomandojë Bashkimit Evropian, t’ia japë Kosovës statusin e merituar. Por, kuvendimi u takon megjithatë qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht dhe për ta dhënë miratimin e tyre”, u shpreh Konjufca.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të dorëzohet në Çeki

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë, shkruan Syri.net Kosova

“Aplikimi në BE i nënshkruar sot nga krerët e Republikës tonë, do t’ia dorëzojmë presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë. Ky është moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella që e forcojnë sundimin e ligjit, zhvillojnë ekonominë dhe avancojnë demokracinë.

“Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Ne do të ecim përpara me meriton tonë, me aftësitë tona për t’i përmbushur kriteret. Pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”, ka thënë Kurti. 

Reagon Vuçiqi

Rreth hapit të parë të Kosovës për t’iu bashkuar familjes evropiane ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një video mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit serb ka thënë se “ka kërkuar nga Perëndimi që t’i tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë”.

“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi ardhur te dokumenti i gjashtë shumë i rëndësishëm i BE-së nga viti 2003, dokumenti i famshëm i Selanikut, për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Dhe në dritën e paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në BE të Kosovës, pyetja ime është nëse do të respektojnë dokumentet që kanë sjellë vetë, qoftë edhe atë historik nga Selaniku, sepse në pikën 5 të dokumentit të Selanikut, thuhet se mbështet plotësisht zbatimin e Rezolutës 1244. Pra, pyetja ime sot është se cilin nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të pajtohemi absolutisht”, tha Vuçiq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco