Cooper: Duke mos arritur marrëveshje, Kosova dhe Serbia tregojnë se sa të dobët janë

Cooper: Duke mos arritur marrëveshje, Kosova dhe Serbia tregojnë se sa të dobët janë

09:56, 07/12/2022

“Kam përshtypjen se asnjëra nga palët Prishtina apo Beogradi, kanë vendosur që duan ta zgjidhin problemin. Dhe kjo më shqetëson”, thotë Robert Cooper, ish-ndërmjetësues në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai foli për Zërin e Amerikës menjëherë pas një serie vizitash të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në Beograd dhe Prishtinë, ku tha se nuk ka kohë për të humbur dhe se dialogu dinamik për normalizim të marrëdhënieve duhet të fillojë sa më parë.

Cooper thotë se ka përshtypjen se Serbia dhe Kosova, siç thotë ai, janë krejtësisht të kënaqur me faktin se ka një problem mes tyre.

“Duket se nuk shohin ndonjë rrezik të veçantë në këtë dhe nuk shqetësohen. Sikur u gëzohen vëmendjes mediatike, deklaratave bombastike dhe shfaqjes së gjoja forcës. Por, duke mos arritur marrëveshje – në fakt tregojnë se sa të dobët janë”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Diplomati britanik në pension, e sheh si një mundësi të shkëlqyer mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, bazuar në propozimin franko-gjerman të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

“Mendoj se ata kanë kapacitet për të arritur një marrëveshje. Pyetja, megjithatë, është nëse ata duan vërtetë të arrijnë marrëveshje.

Përparësitë apo përfitimet janë se të gjithë mund t’i kthehen jetës normale – dhe kjo do të krijonte kushte për zgjidhjen e disa problemeve të tjera, si dhe mundësi për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Ekziston një problem i dukshëm me veriun e Kosovës, ku jeton një pakicë që ndihet e tjetërsuar, sepse beson se është në një vend të huaj që nuk mendon se i përket. Në të gjithë Evropën, u gjetën zgjidhje për njerëzit që, si të thuash, u gjendën në vendin e gabuar – siç mendonin dikur, për shembull, gjermanishtfolësit në Alsace të Francës. Mënyra për ta zgjidhur është të bindësh qytetarët se nuk ka rëndësi se në cilin shtet ndodhen”, thotë ndër të tjera ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco