11 vjeçarja dyshohet se u dhunua edhe nga 6 persona tjerë në qershor

11 vjeçarja dyshohet se u dhunua edhe nga 6 persona tjerë në qershor

10:01, 01/09/2022

Rasti dhunimit të 11 vjeçares i cili tash e disa ditë ka tronditur opinion publik duket se ka qenë rast i përsëritur edhe para disa muajve.

Viktima e njejtë ishte abuzuar seksualisht edhe në fund të qershorit të vitit 2022. Siç thuhet nga burimet e tyre dhunimi dyshohet se ishte kryer nga gjashtë persona.

E dëmtuara thuhet se ishte keqpërdorur seksualisht e kishte qenë viktimë e trafikimit me nga persona të ndryshëm të moshës madhore.

Siç raporton Persikopi, në natën e 21 qershorit, viktima ishte takuar me një person të moshës madhore në një kafene të lagjes ku jeton në Prishtinë (lokacion i njohur për redaksinë) dhe nga aty kishin vazhduar në një motel në rrethinë. Sipas deklaratës së të miturës, detaje prej të cilës ka siguruar Periskopi, në motel kishte shkuar edhe një person tjetër. Pastaj, të dy e kishin dorëzuar tek persona tjerë. Pra në total, dyshohet se viktima është keqpërdorur seksualisht nga gjashtë persona të moshës madhore brenda natës. Abuzimi dyshohet të ketë ndodhur në lokacione si Prishtinë, Orlloviq e Fushë Kosovë.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik lidhur me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, ashtu siç ju kemi mbajtur të informuar, si rezultat i zhvillimit të hetimeve nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, janë dërguar në mbajtje pesë (5) personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së dhe për të njëjtit, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit në gjykatën kompetente, me ç ‘rast gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë.

Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me institucionet relevante kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve për të dëmtuarën, kurse hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.

Po ashtu, për hir të informimit të saktë, ju njoftojmë se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore.

Në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë. I njëjti ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet.

Të dy çështjet penale ndodhen në procese hetimore të ndara dhe i takojnë Procedurës për të Mitur, andaj, kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

Në fund, ju njoftojmë se të gjitha procedurat ku janë të përfshirë të miturit janë procedura konfidenciale dhe fshehtësia e informacionit lidhur me fëmijën viktimë apo dëshmitarë mbrohet me ligj, e po ashtu, secili informacion që priret të bëjë identifikimin e fëmijës si dëshmitar apo viktimë, nuk botohet pa lejen e shprehur qartë të gjykatës.

E dëmtuara në fillim ishte raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj. Mirëpo, të nesërmen, në orët e para të mëngjesit, viktima ishte lënë nga të dyshuarit në një rrugë jo shumë larg shtëpisë së saj në Prishtinë.

Siç ka mësuar Periskopi për këtë rast nuk ishte arrestuar asnjë person, ndonëse njërin prej tyre e kishin identifikuar qysh në fillim. Madje, as dëshmitarët e rastit nuk ishin ftuar për intervistim.

Në raportin e rastit, thuhet se e dëmtuara ishte dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, e pastaj, në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, ishte dërguar në strehimore. Megjithatë, Periskopi mëson se vullneti i prindërve por edhe i vajzës ishte që të kthehej në shtëpi. Rasti vlerësohet të jetë ende nën hetime.

Ky rast mobilizoi protesta masive
Pesë personat që dyshohen se kanë dhunuar seksualisht 11 vjeçaren tashmë janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim.

Kjo njarje ka mobilizuar sot në kryeqytet mijëra qytetarë të cilët protestuan para institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë së Kosovës.

Në këtë protestë nuk është parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu – e cila ishte kritikuar për pjesëmarrjen e mëhershme për shkak të pushtetit institucional që mban.

Protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe te objekti i Ministrisë së Drejtësisë. Më herët, organizatorët e protestët kishin bërë thirrje që partitë politike dhe krerët institucionalë të mos merrnin pjesë në të.

Me ngjyrë të kuqe është ngjyrosur edhe objekti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në anën tjetër, deri tash dhunimi i 11 vjeçares ka çuar drejt dorëheqjes së Drejtorit të Policisë, z. Samedin Mehmeti dhe dorëheqjes së Ali Gashit, Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e Të Burgosurve dhe të Miturve.

Në mes të pesë të dyshuarve për dhunim seksual ishin edhe tre fëmijë, potencialisht nxënës të sistemit tonë shkollor. Por, sa përgjegjëse ndihej znj. Nagavci?

Nagavci e thirri një konferencë për medie, e ku fjalën përgjegjësi e përdori që t’i ikte përgjegjësisë.

Nagavci nisi të fliste për rastin menjëherë duke e “dënuar fuqishëm” aktin por pa dhënë ndonjë ide për masa konkrete emergjente. Po ashtu, ministrja u shpreh se sigurinë e nxënësve do ta kishin “top-prioritet”.

Në rastin që ndodhi më 27 gusht, e shtunë, ishin të përfshirë katër qytetarë të mitur – përfshirë viktima. Tre nga pesë të dyshuarit për dhunim seksual ishin të moshës 16, dhe respektivisht 15.

Përveç protestave në Prishtinë, ky rast organizoi protestë edhe në Tiranë dhe në Shkup.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco