Hoti thotë se familjet e personave të zhdukur janë ende në luftë

Hoti thotë se familjet e personave të zhdukur janë ende në luftë

23:50, 30/08/2022

Sot gjithandej botës është shënuar Dita Ndërkombëtare për të Zhdukurit. Fati i të zhdukurve në shoqërinë tonë vazhdon të përjetohet si një plagë e pashëruar, ndaj në nderim të tyre në vendin tonë janë organizuar një varg aktivitetesh të ndryshme.

Për të shënuar këtë ngjarje është përgatitur edhe një dokumentar, ku trajtohet fati i familjeve të cilat kanë përjetuar tragjedi të rënda nga lufta e  fundit në Kosovë.

Regjisori Fadil Hysaj, i cili është edhe bashkë-skenarist i dokumentarit, shpjegoi mënyrën e realizimit të këtij dokumentari, sipas të cilit, mundësitë për ta realizuar këtë dokumentar kanë qenë të kufizuara, fjala vjen, për të krijuar dramat e personazheve, për rrëfimet e tyre, etj., duke shtuar se përzgjedhja ka qenë bërë me marrëveshje, për të mos thënë me imponime.

Ndërkaq Agim Gashi, Shef i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) në Kosovë, duke folur për dokumentarin tha se qëllimi ynë ka qenë t’i përfshijmë disa familje që opinioni nuk i ka parë, që të shpërfaqin dhimbjet e tyre. Ai më tej shtoi se jemi përpjekur t’i mbledhim të dhënat nga familjet nga të gjitha komunitetet, por, mjerisht, nuk kemi pasur hapësirë më tepër, ndryshe do të përfshiheshin edhe më shumë ngjarje.

Ndërsa Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, duke falënderuar regjisorin Hysaj për dokumentarin, tha se familjet e personave të zhdukur janë ende në luftë, ngase ata zgjohen çdo ditë dhe flenë me shpresën se do të vijnë ndonjë ditë. Ky dokumentar sensibilizon shoqërinë se këto familje vuajnë çdo ditë me këtë dhimbje.

“Përmes këtyre aktiviteteve sensibilizojnë opinionin vendor e ndërkombëtar për të bërë më shumë dhe për të ditur më shumë për fatin e të zhdukurve”, theksoi Andin Hoti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco