Sa janë të sigurta parqet dhe pse nuk shohim roje apo policë?

Sa janë të sigurta parqet dhe pse nuk shohim roje apo policë?

14:59, 30/08/2022

Një 11 vjeçare, ditë e dielë u bë viktimë e një dhunimi monstruoz seksual nga pesë persona të dyshuar. Rasti ndodhi në parkun ‘’Arbëria’’ të Prishtinës. Sipas Prokurorisë aty kishte nisur gjithçka, por të dyshuarit e kishin çuar më pastaj viktimën në një destinacion të panjohur dhe e kishin abuzuar për plot 7 orë. Organet kanë ndërmarrë hapat proceduralë dhe tashmë nën arrest gjenden pesë veta. Por, sa të sigura janë parqet për qytetarët, a ka patrullime të shpeshta…

”S’ka kurrë njëfarë kontrolli që vjen prej shtetit. A shihni policë? Kurrë hiç. Veç çka dalin këta të KFOR’it për veti për kontroll, a përndryshe për shtet s’ka hiç. Veç kur të bëhet nja rast, dalin këqyrin çka u bë diçka.”

E një tjetër, tha se nuk po mundet ta besojë dot rastin në fjalë.

”Ish dashtë me pasë roje se këtu vijnë fëmija prej moshës më të vogël, edhe ata që dalin pa prindër. Edhe me pasë roje, me u sjell policia kësajde. Rast i paprecedentë. Vajzë 11 vjeçare, diqysh s’po muj me përshkru e besu, qysh mundet me ndodhë në kohë të sotit kjo.”

Çka garanton Policia për sigurinë publike?

Periskopi ka kontaktuar Policinë e Kosovës për ta pyetur se a kanë plane të rregullta operative të kontrolleve rutinore nëpër parqe e hapësirave publike. Përgjigja e tyre ishte mjaft e përgjithshme, duke theksuar patrullimet i zhvillon në gjithë vendin dhe i lufton veprat penale.

‘’Policia e Kosovës, në vazhdimësi përmes planifikimeve të saj operacionale realizon patrullime në gjithë vendin në funksion të parandalimit dhe luftimit të veprave penale dhe të të gjitha dukurive negative që mund të shfaqen, si dhe ndërmerr veprime ligjore konform ligjeve në fuqi.
Po ashtu, secilit rast të raportuar në polici, zyrtarët policor i përgjigjen për trajtim dhe hetim sa më me efikasitet dhe efektivitet’’, është përgjigja e Policisë për Periskopin.

QKSS thotë se kosovarët përballen me pasiguri të madhe nga ngacmimet seksuale

Dea Fetiu, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë përmes një deklarate për Periskopin ka treguar se në tri vitet e fundit, qytetarët e Kosovës janë gogja të rrezikuar në ambientet publike, sidomos femrat.

‘’Duke u bazuar në të dhënat e Barometrit të Sigurisë së Ballkanit Perëndimor, shumica e qytetarëve të Kosovës perceptojnë ngacmimet seksuale si fenomen me rrezikshmëri shumë  të lartë për komunitetin e tyre. Për më tepër, kur krahasojmë të dhënat e tri viteve të fundit, qytetarët tregojnë një ngritje të madhe të pasigurisë nga ngacmimet seksuale. Ngjashëm, edhe sa i përket dhunës në familje, trendi i pasigurisë shënon rritje në vitet e fundit. Rastet e dhunimeve seksuale dhe pasiguria e madhe që shprehin qytetarët janë një tregues i qartë që gjendja e sigurisë publike në Kosovë, e sidomos siguria për gratë e vajzat, nuk është aspak në nivel të duhur’’, ka thënë Fetiu.

Neglizhimi e vjetërsia e rasteve, apo mos trajtimi i duhur nga organet, sipas Fetiut bën që recidivistët të përsërisin veprat penale.

‘’Organet kompetente duhet të sigurohen që këto raste të trajtohen me një rëndësi e prioritet të veçantë, duke qenë se dështimi i vazhdueshëm për t’u marrë me këto raste dhe heshtja nga organet kompetente është shumë i dëmshëm për sigurinë e grave dhe vajzave në Kosovë. Mos adresimi me seriozitet i dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave i nxitë dhunuesit e kryerësit e këtyre veprave t’i përsërisin ato dhe po ashtu i dekurajon të mbijetuarat tjera t’i lajmërojnë rastet e dhunës ndaj tyre.’’, thonë nga QKSS.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco