Kurti rrëfen pikë e për pe udhëtimin e tij për në Bruksel, jep edhe disa paralajmërime

Kurti rrëfen pikë e për pe udhëtimin e tij për në Bruksel, jep edhe disa paralajmërime

14:45, 24/08/2022 Nga Sh.A

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ndërsa shefi i saj, Albin Kurti, ‘pushtoi’ hapësirën mediale me deklarata të shumta në konferencën për media, shkruan Syri.net Kosova

Kryesisht, deklaratat e shefit të ekzekutivit kosovar kanë të bëjnë me bisedimet në Bruksel, vizitën e Escobar në Kosovë dhe venndimin për targat që pritet të fillojë së zbatuari më 1 shtator.

Para takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, kryeministri Kurti ka thënë se do të presë takimin e sotëm për të mësuar nëse ndërkombëtarët do të kenë ndonjë propozim të ri për punën e targave, derisa ka thënë se propozimi për prodhim të targave neutrale nuk vjen në konsiderim.

“Së pari ka pasur opsione, do të ketë takim edhe sot. Por, opsionet që janë të pranueshëm për ne, janë ato që përputhen me kushtetutën dhe që janë në frymën e reciprocitetit. Kur thuhet njohje reciproke kjo nënkupton që fryma është reciprociteti. Nëse ne në formë reciproke njohim targat nuk do të thotë se ka ndodhur njohja reciproke", ka deklaruar Kurti.

Kurti: Serbia po rrezikon sigurinë tonë nacionale dhe rajonin në tërësi

Duke folur për takimin në Bruksel që pati me presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurti ka deklaruar se pala serbe panevojshëm po e eskalon situatën me veprimet e saj në fushën e sigurisë në një rikthim te fjalori i tij ku përmend tensionet.

“Jam thellësisht i bindur që pala serbe panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke e eskaluar si retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë. Kjo bashkë me kërcënimet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët duan t'i mbështesin vendimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Si e tillë, kjo përben kërcënim të drejtpërdrejtë si të sigurisë nacionale ashtu edhe të rajonit në tërësi. Këto kërcënim, synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsi në negociata duke e kërcënuar Bashkimin Evropian por edhe SHBA-të me tensionet në të ardhmen', ka deklaruar Kurti.

Kurti në vazhdën e deklaratave të tij gjatë adresimit sot, tha se Serbia nuk ishte konstruktive në dialog.

Pala serbe e painteresuar për temën e të zhdukurve me dhunë

Kurti ka deklaruar se te tema e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti dakordues.

Sipas tij, kjo marrëveshje mund të nënshkruhej të enjten që shkoi, por që pala tjetër nuk pati interesim dhe doli nga ndërtesa.

Reciprociteti dhe targat - propozimet e opsionet

Autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për veturat brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje.

Kështu deklaroi sot mes tjerash kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kurti përsëriti se për Kosovën opsioni më i pranuar do të ishte eliminimi i plotë nga të dyja vendet i kërkesës për dokumente shtesë për hyrje/dalje për qytetarët e të dyja shteteve.

“Derisa do të ketë në një anë, duhet të ketë edhe në anën tjetër”, tha ai.

Derisa tregoi për propozimet që ai i shtroi në tavolinë, Kurti tregoi edhe për një opsion që u përmend aty e për të cilin tha se është edhe mohues i vetë pavarësisë së Kosovës.

“Targat KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim. Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe buron prej kësaj shtetësie dhe këtij sovraniteti dhe nuk mund të legjitimojë neutralitet vetanak ndaj vetë statusit të saj, sepse njëri prej opsioneve ka qenë që ne të prodhojmë targa neutrale”, tregoi Kurti, shkruan Syri.net Kosova

Ai tha se Kosova nuk mund të marrë vendime që e vënë në pikëpyetje pavarësinë e vendit meqë “pavarësia e vendit nënkupton që nuk mund të promovojmë një rend juridik të ndryshëm për një pjesë të territorit”.

Sa i përket riregjistrimit të veturave, Kurti tha se targat KS nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kërkon Serbia për ato vetura që kanë targat e Serbisë me akronimet e qyteteve në Kosovë.

Paralajmërimi i Kurtit për 1 shtator

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se më 1 shtator ose do të lëshohen dokumentet për hyrje/dalje edhe nga Serbia edhe nga Kosova ose nuk do të lëshohen nga asnjëra palë.

Ai tha se Kosova e ka shtyrë zbatimin e këtij vendimi si gjest i vullnetit të mirë karshi kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë, por ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet në vazhdimësi.

“Ne kemi bërë një koncesion të madh në datën 31 korrik që vendimi që do të duhej të zbatohej nga 1 gushti të fillojë nga 1 shtatori, natyrisht pasi të hiqet edhe barrikada e fundit dhe pasi për këtë të më njoftojë Policia e Kosovës dhe pasi që në ndërkohë janë lëshuar dokumentet e hyrje/daljeve në të gjitha vendkalimet kufitare. 2679 dokumente janë lëshuar, asnjë incident, asnjë ankesë. 20 sekonda mesatarisht në mënyrë fort efikase meqë gjithçka kryhet në mënyrë elektronike sa i përket marrjes së të dhënave dhe kemi dëshmuar që 1 gushti do të ishte një ditë krejtësisht e zakonshme në kontrast me 31 korrikun”.

“Shtyrja nuk ka ndodhur në mënyrë që shtyrja të bëhet principi. Shtyrja nuk është principi – gjest i vullnetit të mirë karshi brengave të partnerëve ndërkombëtarë se ka pasë një fushatë të madhe të dezinformimit përgjatë gjithë muajit korrik. Po e luftojmë dezinformimin, po e rrisim informimin dhe me datë 1 shtator do të kemi njërin prej dy skenarëve – ose nuk do të ketë dokument hyrje/dalje as në Serbi e as në Kosovë ose do të ketë në të dyja. Kur ne themi që po bëjmë dialog për marrëveshje mendojmë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që është ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme dhe një marrëveshje e cila e ka në qendër njohjen reciproke”, tha ai në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë.

6 pikat që Kurti ia përmendi Vuçiqit në takim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë duke folur për takimin e 18 gushtit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe nuk ka qenë e gatshme për normalizim të plotë.

“Në vend të ideve, pala tjetër kanë nxjerr vetëm konstatime duke bërë të ditur se nuk jën të intersuar për normalizim të plotë, por për hapa të vegjël”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se temë diskutimi në këtë takim ka qenë marrëveshja finale dhe çështjet aktuale, duke thënë se ka paraqitur 6 kapituj që do të duhej të përfshiheshin në marrëveshjen finale.

“Te tema e parë kam elaboruar në detaje këndvështrimin e palës tonë për marrëveshjen finale në formë të 6 kapitujve:

Statusin e marrëdhënieve bilaterale të dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar që nënkupton njohjen reciproke dhe rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizatën ndërkombëtare

Ballafaqimin me të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale të luftës, kthimi i artefakteve etj

Bashkëpunimi liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve

Trajtimi i të drejtave të pakicave respektive

Të ri konsiderojmë marrëveshjet e deritanishme. jo me idenë e ri negocimit të tyre

Duhet të vendos qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes se zgjidhjes së mosmarrëveshjeve eventuale”, ka zbuluar Kurti.

Kurti nuk rri pa e ‘ngucë’ opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar vizitën e të dërguarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me krerët e opozitës.

Kurti u përgjigj me ironi, duke thënë se e ka parë dje që përveç tij, malli për opozitën e kishte marrë edhe Escobarin.

“E pashë dje që përveç meje edhe Escobarin e kishte marrë malli për opozitën, edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Do ta pyes sot Escobarin se si kaloi, si e kemi opozitën dhe padyshim që për një çështje kaq madhore si sovraniteti, reciprociteti, dialogu kemi pozitë e opozitë”, është shprehur Kurti.

Bisedimet në Bruksel po konsiderohen të jenë në një fazë të nxehtë, ku pritet të ketë zhvillime, duke filluar qysh nga 1 shtatori, datë kjo që është paralajmëruar për fillimin e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë, pas shtyerjes për një muaj më 31 korrik.

Pikërisht në këtë pikë intensive të dialogut, në Kosovë po qëndrojnë emisarët e BE-së dhe SHBA-së, Lajçak dhe Escobar.Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco