Vonesat për dokumente, MPB-ja thotë se ka pasur prishje të pajisjes dhe jo mungesë të materialit

Vonesat për dokumente, MPB-ja thotë se ka pasur prishje të pajisjes dhe jo mungesë të materialit

22:34, 05/08/2022

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka konfirmuar se nuk ka mungesë të materialit për dokumente dhe se puna është duke vazhduar me rregull në këtë institucion.

Në një përgjigje për lajmi.net, MPB-ja ka bërë të ditur se aktualisht çdo gjë është në rregull sa i përket furnizimit me materiale për dokumente.

“Momentalisht çdo gjë është në rregull dhe jemi duke proceduar të gjitha llojet e dokumenteve”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Në anën tjetër, kjo ministri dje ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media se më datë 1 gusht të këtij viti, në këtë institucion ka pasur avari njëra nga pajisjet për personalizim të dokumenteve gjë që e ka pamundësuar pajisjen me dokumente personale për qytetarët.

“Pas angazhimit tre ditor të personelit teknik të Departamentit të Prodhimit të Dokumenteve në kuadër të Agjencisë së Regjistrimit Civil, sot është riparuar pajisja dhe menjëherë ka filluar procedimi i dokumenteve personale. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët që zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit Civil janë duke punuar deri në orët e vona për të përmbushur kërkesat e qytetarëve.”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Mosfunksionimi i pajisjes së lartcekur ka shkaktuar vonesa në pajisjen me dokumente të identifikimit për qytetarët, ndërsa tashmë puna është duke vazhduar me rregull. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco