Si po e përdor Rusia situatën e Kosovë për të bërë propaganda të ulëta?

Si po e përdor Rusia situatën e Kosovë për të bërë propaganda të ulëta?

09:43, 03/08/2022

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, akuzoi Bashkimin Evropian dhe Uashingtonin se qëndrojnë pas konfliktit midis Prishtinës dhe Beogradit, pasi sipas tij, “ata përfitojnë nga tensionet në Ballkan”.

Ambasadori rus theksoi për televizionin rus Soloviev se pas provokimeve në Kosovë qëndron Prishtina dhe pas saj qëndrojnë SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, e cili në kundërshtim me interesat e veta po ndjek udhëzimet e Uashingtonit.

“Uashingtoni përfiton nga një konflikt i zjarrtë, ai përfiton nga mbajtja e situatës në prag të kolapsit”, tha ai.

Ambasadori rus deklaroi se në këtë rast, Bashkimi Evropian, ashtu si në rastin e Ukrainës, ashtu edhe në rastin e sanksioneve antiruse, po ndjek udhëzimet e Uashingtonit, në kundërshtim me interesat e tij.

Ai potencoi se nuk do t’i besojë kurrë deklaratat e amerikanëve dhe evropianëve se nuk mund të bëjnë asgjë me Kosovën dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund të menaxhohet.

“Sigurisht, e gjitha është një gënjeshtër”, shtoi Bocan-Kharchenko.

Sipas tij, “regjimi i Prishtinës, si dhe regjimi i Ukrainës, janë vegla në duart e Uashingtonit dhe BE-së, të cilat zbatojnë linjën amerikane”.

Diplomati rusi pohoi se qëllimi i tyre është që ta përdorin këtë “konflikt që digjet” për ta vënë Serbinë në vendin e saj, sepse presidenti serb Aleksandër Vuçiç “e ka ngritur nga gjunjët dhe ata duan ta gjunjëzojnë sërish”.

Ai vlerësoi gjithashtu se SHBA-ja dhe Amerika duan të përdorin çështjet e Kosovës, Bosnjë dhe Hercegovinës, Republika Srpska për të bërë presion ndaj Vuçiç-it për t’iu bashkuar sanksioneve anti-ruse.

Transmetuesi kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar, BBC, ka publikuar një artikull për tensionet në veri të Kosovës, duke theksuar se ato po rriten.

Protestuesit kanë bllokuar rrugët dhe thuhet se kanë qëlluar me armë pasi u detyruan të vendosnin targa të Kosovës në makinat e tyre.

Ekziston frika se dhuna midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë mund të ndizet përsëri, 23 vjet pas luftës në Kosovë, shkruan BBC.

Ku është Kosova dhe kush jeton atje?

Kosova është një vend i vogël, pa dalje në det në Ballkan, në kufi me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Shumë serbë e konsiderojnë atë vendlindjen e kombit të tyre.

Por nga 1.8 milionë banorët që jetojnë në Kosovë, 92% janë shqiptarë dhe vetëm 6% serbë. Pjesa tjetër janë boshnjakë, goranë, turq dhe romë.

Si e fitoi Kosova pavarësinë?

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitet 1990, Kosova kërkoi autonominë dhe pavarësinë e saj.

Serbia u përgjigj me një goditje brutale kundër shqiptarëve etnikë që kërkonin pavarësinë.

Kjo përfundoi në vitin 1999, me një fushatë bombardimi të NATO-s kundër Serbisë, midis marsit dhe qershorit.

Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova – por për shumë shqiptarë dhe serbë të Kosovës, konflikti nuk është zgjidhur kurrë.

KFOR-i i udhëhequr nga NATO është ende në Kosovë, me një forcë aktuale prej 3,770 trupash, përcjell Express.

Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Gjithsej 99 nga 193 vende të Kombeve të Bashkuara e njohin tani pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe 22 nga 27 shtete të BE-së.

Por Rusia dhe Kina, të cilat nuk e bëjnë këtë, e kanë bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq është zotuar se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si një vend të pavarur.

As Kosova dhe as Serbia nuk janë në BE – por: Serbia është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012. Kosova ka treguar se dëshiron të aplikojë deri në fund të vitit 2022.

Pse janë ndezur telashet tani?

Marrëdhëniet mes qeverisë së dominuar nga shqiptarët dhe pakicës serbe kanë qenë të acaruara prej vitesh.

Fundjavën e kaluar, tensionet kaluan në mosbindje civile.

Qeveria e Kosovës donte t’i detyronte ata në zonat me shumicë etnike serbe t’i ndërronin targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Rreth 50,000 njerëz në këto zona nuk duan t’i përdorin targat e Kosovës sepse refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.

Të dielën, serbët etnikë në rajonin verior të Kosovës, i cili kufizohet me Serbinë, barrikaduan rrugët dhe disa persona thuhet se qëlluan me armë në shenjë proteste.

Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e rregullave të reja për një muaj.

A është e përfshirë Rusia?

Qeveria e Kosovës thotë se Serbia po nxit tensione etnike dhe Rusia po e mbështet atë.

Serbia dhe Rusia janë aleatë tradicionalë.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia refuzoi t’i bashkohej regjimit të sanksioneve të vendeve të tjera europiane.

Në vend të kësaj, në maj, Vuçiq nënshkroi atë që ai tha se ishte një marrëveshje e favorshme gazi me presidentin rus Vladimir Putin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova fajësoi për tensionin në Kosovë autoritetet kosovare që tha se vendosën “rregulla të pabaza diskriminuese”.

Një deputet nga partia e Vuçiqit tha se Serbia së shpejti do të detyrohet të fillojë “denazifikimin e Ballkanit” – duke përdorur të njëjtën gjuhë që Putin e përdori për ta justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë. Më vonë ai kërkoi falje për fjalët e tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Putini mund ta përdorë këtë për ta zgjeruar konfliktin aktual në Ukrainë dhe për të destabilizuar më tej Europën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco