‘Nuk e vrau varka, por shteti’, pas tragjedisë në Himarë qytetarët bëjnë thirrje për protestë

‘Nuk e vrau varka, por shteti’, pas tragjedisë në Himarë qytetarët bëjnë thirrje për protestë

08:40, 03/08/2022

Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në plazhin e Potamit në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, e cila u përplas nga skafi i drejtuar nga punonjësi i policisë, Arjan Tase, tronditi gjithë shoqërinë shqiptare.

Kjo ngjarje tregoi edhe njëherë se sa e pasigurtë është jeta në Shqipëri, për më tepër kur ajo merret nga një efektiv policie, i cili paguhet nga taksat tona për të na mbrojtur, e jo për të na vrarë.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë shoqëria civile ka paralajmëruar protesta ditën e enjte në orën 19:00 përballë Ministrisë së Brendshme, ku kërkon dorëheqjen e ministrit Çuçi, ministres Kumbaro dhe atë të Drejtorit të përgjithshëm të Policisë Gledis Nano.

Ndërkohë kësaj proteste pritet ti bashkohet edhe opozita.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi përmes një postimi në facebook shkruan se Partia e Lirisë mbështet fuqimisht çdo formë proteste qytetare dhe bashkohet me indinjatën e madhe të gjithë opinionit publik të tronditur nga tragjedia që preku sot familjen Avdia, që humbi vogëlushen 7-vjeçare.

 “Është koha për t'i treguar këtij regjim kriminal, që varfëron, grabit, dhunon dhe vret fëmijë, se populli shqiptar është Zot i fateve të veta!” shkruan Blushi.

Edhe PD përmes një njoftimi për shtyp inkurajon çdo demonstrim civil dhe u bashkohet në indinjatë, të gjithë atyre shqiptarëve që zgjedhin çdo formë proteste, që nga statuset në rrjete sociale, te vigjiljet e solidaritetit dhe daljet publike të unifikuara, për tragjedinë e familjes Avdia, që humbi vajzën 7-vjecare.

“Protestat kundër dorës së shtetit që mbyll sytë e fëmijëve janë zëri i të gjithë të dhunuarve nga ky pushtet që nga thirrja ‘nuk keni parë gjë akoma!’

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco