Konfirmohet nga Policia: Janë hequr të gjitha barrikadat në veri

Konfirmohet nga Policia: Janë hequr të gjitha barrikadat në veri

18:09, 01/08/2022

Pas zotimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të dy vendimeve për reciprocitet me Serbinë, serbët lokalë në veriun e Kosovës më 1 gusht kanë nisur t’i zhbllokojnë rrugët drejt pikave kufitare mes dy vendeve, në të cilat kishin vendosur barrikada për të kundërshtuar masat e ekzekutivit kosovar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë larguar të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Sipas tij, situata është aktualisht e qetë.

Nga ana tjetër, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha sot se po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës. Monitorimi, sipas një postimi në Twitter, po bëhet së bashku me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

“Sipas mandatit të OKB-së, KFOR-i vazhdon të jetë i përkushtuar për sigurinë, i gatshëm të ndërmarrë masa të nevojshme për ta mbajtur të sigurt Kosovën”.

Më 31 korrik, NATO deklaroi se forcat e saj në Kosovë janë të përgatitura të ndërhyjnë në Kosovë, nëse do të rrezikohej stabiliteti në veri të vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco