Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç thotë ndërmarrjen e veprimeve të paplanifikuara mirë dhe të pakoordinuara si duhet.
“Sa i përket Qeverisë së Kosovës, aksioni i mbrëmshëm dëshmoi edhe një herë se vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti që të realizohet. Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë, po krijon një përshtypje që Veriu është i pamenxhueshëm dhe që situata atje është jashtë kontrollit të shtetit. Po ashtu, veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, jo vetëm të ndëgjojnë ata në momentet e fundit të krizës. Aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti. Ato duhet të mirëmbahen dhe kultivohen me seriozitet.”, theksoi Çitaku.
Ajo tha se PDK me shqetësim i ka ndjekur zhvillimet e mbrëmshme në Veri të vendit dhe e konsideron si shumë shqetësuese konfuzionin e krijuar në opinionin publik në lidhje me situatën në veri.
PDK kërkon nga Qeveria të shpjegoj qartë se cili është vendimi i ri dhe çfarë do të ndodhë në këto 30 ditët e ardhshme.
Çitaku theksoi se bashkërendimi i të gjithë akterët relevantë, ndërkombëtarë e vendorë, është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin.
© SYRI.net