Truri i kthyer prej SHBA-së nuk tronditet nga vdekjet e kancerit në QKUK

Truri i kthyer prej SHBA-së nuk tronditet nga vdekjet e kancerit në QKUK

11:08, 30/07/2022

Doktoresha Merita Brovina ka tronditur dje opinion kur ka treguar se në Klinikën e Onkologjisë, mungon ilaçi bazë për trajtimin e kancerit.

“Pembrolizumab është një prej barnave mjekuese pre të sëmurët me kancer i cili nuk mund të blihet në tregun vendor, e askund në rajon. Nga 80 ampulla sa duhet të furnizohet Klinika e Onkologjisë sa i kanë të planifikuara dhe të kontraktuara, sot pas një jave vonesë klinikës i kanë ardhur vetëm dhjetë”, ka shkruar Brovina.

“Në mesin e atyre 80 pacientëve që presin ta marrin ilaçin janë përzgjedhur dhjetë të cilët në tentativat më të vrazhda për mbijetesë e kanë kuptuar me rrugë joformale që ilaçi vjen sot andaj kanë zënë dyert e klinikës para se ilaçi te zbarkoj në klinikë”, shpjegon tutje ajo.

Brovina thotë se selektimi i pacientëve për atë se kush duhet të vazhdojë të jetojë, e kush jo mund të bëhet vetëm në kushte lufte, apo të emergjencave ekstreme.

“Në kushte lufte apo emergjencave të natyrave ekstreme mjekësore personeli mjekësor është i detyruar të bëjë punën e Zotit e të selektojë kush mund të jetojë e kush jo. Personeli mjekësor këtë formë të triazhimit si veprim legjitim e mëson në kuadër të lëndës së Kirurgjisë”, thotë ajo.

Për këtë çështje ajo i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, dhe ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“I dashur Kryeministër dhe i nderuar Ministër i Shëndetësisë, ju informoj që ne sot në klinikën e Onkologjisë nuk patëm fatin të jemi të përzgjedhur në mesin e atyre që kanë të drejtë të vazhdojnë të jetojnë. Kush dhe si e bëri përzgjedhjen që në kushte normale i takon vetëm Zotit besoj që duhet të angazhoheni që ta kuptoni e zbërtheni”, ka lutur Brovina.

Ajo ka thënë se “10 dhe 70 bëjnë 80 por nuk janë numra, janë jetë njerëzish të këtij vendi që frymojnë e që sot dikush në këtë institucion të quajtur QKUK ka bërë punën e Zotit duke i selektuar: ti mund të vazhdosh të jetosh e ti jo”.

Për mungesën e këtij bari, të cilin e ka vënë në pah doktoresha Brovinë, nuk ka reaguar ende as kryeministri, dhe as ministri i Shëndetësisë.

“Sot dikush në QKUK ka bërë punën e Zotit duke i selektuar: ti mund të jetosh, e ti jo”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën. Në vitin 2020, afro 10 milionë njerëz në botë kanë vdekur nga kjo sëmundje, tregojnë të dhënat e OBSH-së.

Në Kosovë, çdo vit regjistrohen deri në 1,500 raste të reja me kancer. Sipas autoriteteve shëndetësore, te gratë dominon kanceri i gjirit, kurse te burrat kanceri i mushkërive dhe i zorrës së trashë.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë i ka rreth 60 shtretër, por barnat aty herë pas here mungojnë (si në rastin e fundit) dhe pacientët detyrohen ose të shtyjnë trajtimin, ose t’i blejnë vetë ato.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco