Çka dihet deri më tani për aksidentin e tmerrshëm që la të vdekur dy mërgimtarë

Çka dihet deri më tani për aksidentin e tmerrshëm që la të vdekur dy mërgimtarë

10:19, 30/07/2022

Shemsedin Sopaj e Mirvete Sopaj nga Malisheva mbetën të vdekur mëngjesin e ditës së djeshme, pasi vetura e tyre u aksidentua me një autobus në magjistralen Prishtinë-Podujevë. Çifti që lanë pas vetës tre fëmijë, dy prej tyre të lënduar rëndë nga aksidenti, ishin nisur nga Sllovenia për në Kosovë, ku pritej t’i kalonin pushimet e verës.

Deri më tani, nuk dihen arsyet që sollën këtë aksident të rëndë, por sipas informacioneve të para, autobusi me të cilin u aksidentua vetura, ishte ndalur në rrugë për shkak të një defekti.

Eksperti i komunikacionit, Nol Deda, në Klan Kosova, ka folur për shkaqet që kanë mundur të çojnë në aksidentin e tmerrshëm që ndodhi mëngjesin e 29 korrikut në magjistralen Prishtinë – Podujevë.

“Në rrugën ku është e papërfunduar, ekzistojnë ato që i quajmë “gropa goditëse”, të cilat nuk vërehen fare natën, dhe kalimi i automjetit në bazë të tyre, e çrregullon psiqikisht drejtuesin e automjetit, madje edhe ia humb drejtimi, dhe drejtuesi i automjetit nuk e ka më kohën e reagimit për sistem frenimi”, u shpreh ai.

“Janë raste komplekse këto të natës, nuk janë sikur të ditës, ka elemente shtesë me të cilat duhet marrë”.

Tutje eksperti i komunikacionit ngriti shqetësimin se në muajt qershor, korrik dhe gusht, ndodhin më së shumti aksidente, kohë kjo kur mërgata ia mësyn Kosovës.

Mungesa e sinjalizimit po ashtu u përmend si një shkaktare.

“Përveç mungesës së sinjalizimit, është edhe mungesa e sinkronizimit të tyre, sinjalizimit horizontal dhe vertikal. Kemi edhe sinjalizim të deformuar, në momentin kur një shenjë është me koruzion, atëherë de-fakto nuk e jep mesazhin e duhur”.

Deda po ashtu tregoi se ka pasur raste kur palët e përfshira në aksident kanë paditur në gjykatë Ministrinë e Infrastrukturës, kur aksidentet kanë përfunduar me fatalitet për shkak të mungesës së sinjalistikës.

“Janë dënuar me kusht përgjegjësit nga Drejtoria e Rrugëve, të Ministrisë së Transportit”, tregoi ai.

Deda tha se nëse autobusi do të ishte në lëvizje në kohën kur u godit nga mbrapa nga vetura, pasojat do të ishin më të vogla.

“Nëse kanë qenë edhe autobusi edhe automjeti në lëvizje, nëse janë në lëvizje dhe goditet nga mbrapa, atëherë armotizimi i forcave është shumë më i vogël”, tha ai në Klan Kosova.

Nëna e Shemsedinit, tashmë i ndjerë, në një bisedë për Nacionalen, ka rrëfyer edhe historinë e dhimbshme të kësaj familjeje, e cila në luftë, ka humbur edhe një djalë tjetër.

"Hatri i qatyne fëmive unë kam me qëndru...U nisë pa gjumë prej Sllovenisë, tu punu. Fëmijët du me i afru. Du me ba gajret hatri i tyne”, kështu ka rrëfyer me pak fjalë për rastin e rëndë nëna e Shemsedin Sopajt, i cili, bashkë me gruan, Mirveten, vdiqën pas përfshirjes në një aksident trafiku derisa nga Sllovenia po vinin për në Kosovë.

“Hala 22 vjet e varrët e djalit tjetër s'i kem harru. Djali i madh m’u ka vra në luftë. Kur është vra ai, ky djali që u aksidentu (Shemsedini) pati bërtitë. ‘O vlla, më le vetë’, i pati thanë”, ka thënë kjo nënë për plagët shpirtërore që po i bart tash e shumë vjet.

“Me kanë që çohet, tash isha shku e kisha thanë: shpirtin tem merre, e këta lene. Du me ba gajret, qysh kom ba për të madhin”, ka thënë tutje ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco