Osmani deklarohet pas takimit me Blinken: U konfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh se Amerika

Osmani deklarohet pas takimit me Blinken: U konfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh se Amerika

07:43, 27/07/2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  ka folur për takimin që ajo së bashku me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, patën me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Osmani tha se në këtë takim, edhe një herë u konfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh, më të mirë dhe më të fuqishëm se SHBA-të.

Osmani tha se në takim është ripërsëritur qëndrimi i SHBA-së se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Ishte një takim i shkëlqyeshëm ku u rikonfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh, më të mirë, më të fuqishëm se SHBA-të. Kemi biseduar për fuqizimin e subjektivitetit apo mënyrës se si Kosova fuqizohet në arenën ndërkombëtare përmes njohjes dhe çështjeve tjera. Diskutuam edhe për rolin konstruktiv në dialogun me Serbinë, duke hyrë në detaje në marrëveshjet që janë nënshkruar. Edhe Biden dhe Blinken, kanë qenë të qartë që dialogu të përfundojë në njohje reciproke, gjë që është konfirmuar edhe gjatë këtij takimi”, tha ajo.

Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu ka lëshuar një njoftim  pas takimit në Washington, të Sekretarit Antony Blinken me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit, Blinken ka falënderuar Kosovën për pritjen e afganëve, qëndrimin dhe mbështetjen për Ukrainën.

Gjithashtu tregohet se në takim është folur për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja e i cili duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka takuar sot presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington DC. Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe Sekretari falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën dhe pritjen bujare të afganëve. Ata diskutuan rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qendër njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco