Departamenti amerikan i Shtetit tregon se çka u fol në takimin e Blinken me Osmanin e Kurtin

Departamenti amerikan i Shtetit tregon se çka u fol në takimin e Blinken me Osmanin e Kurtin

07:37, 27/07/2022

Në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit Amerikan kanë lëshuar një njoftim të shkurtër pas takimit në Washington, të Sekretarit Antony Blinken me krerët e shtetit të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit, Blinken ka falendëruar Kosovën për pritjen e afganëve, qëndrimin dhe mbështetjen për Ukrainën.

Gjithashtu tregohet se në takim është folur për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja e i cili duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka takuar sot presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington DC. Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe Sekretari falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën dhe pritjen bujare të afganëve. Ata diskutuan rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qendër njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH.

Ky ishte takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.

Pas takimit, kryeministri Kurti para mediave në SHBA ka thënë se takimi ishte fort i dobishëm në aspektin e raporteve mes Kosovës e SHBA-së.

“Takimi që patëm me zotin Blinken ishte takim shumë i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes SHBA-ve dhe Kosovës. Aty treguam se si Kosova është një histori suksesi e dyfishtë. Rrëfim suksesi i qëndrueshmërisë dhe punës, dhe ndërhyrjes së NATO-së për ta ndalur gjenocidin në Kosovë, dhe histori suksesi e një demokracie cilësore që shkon bashkë me zhvillimin ekonomik”, tha Kurti.

Ai tha se u kërkuan më shumë investime nga SHBA-të, e sidomos në fushën e mbrojtjes.

“Synojmë që siguria e Kosovës që është siguri jo vetëm e shtetit dhe popullit, por edhe progresit të arritur, ta ketë partner SHBA-në”, tha Kurti. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco