‘Manifesta e skandaleve’, ku shkuan 4 milionë të taksapaguesve kosovarë?

‘Manifesta e skandaleve’, ku shkuan 4 milionë të taksapaguesve kosovarë?

17:00, 12/07/2022

Mbajtja e ‘Manifesta 14 Prishtina’ në kryeqytet po del të jetë një dëmtim i objekteve kulturore që janë në mbrojtje dhe një mundësi e mirë e zhvatjes së buxhetit të ndarë për të, prej 4 milionë eurosh. Ky është përcepitimi i artistit kosovar, Albert Heta, i cili në një bisedë për Syri Kosova, tregon detajisht  krejt çka përmban kjo bienale, që është shëndrruar në festival

Gazetar: Erdonit HOXHA

‘Manifesta 14 Prishtina’ është bienalja e cila do jetë një nga organizimet e Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Të dy këto institucione i kanë ndarë nga 2 milionë euro secila dhe për 100 ditë, Manifesta premton art, arkitekturë, performancë, evente dhe punëtori.

Me 102 pjesëmarrës, një ekspozitë tematike shtatë-katëshe në Hotelin Grand dhe 55 ndërhyrje artistike dhe urbane , 43 prej të cilave janë punë të reja , kjo verë në Prishtinë është premtuar se do të jetë vërtetë e paharrueshme.

Mirëpo, bienalja e cila do nis nga 22 korriku, nuk është mirëpritur nga të gjithë artistët.

Një nga artistët që po e kritikon formën se si Manifesta ka nisur të veprojë në kryeqytet, është Albert Heta.

Ai ka ditë që në rrjetet sociale po publikon shkrime, ku thotë se ‘Manifesta 14 ‘me një buxhet prej 4 milionë euro ka mbledhur grupe kriminale dhe po e keqpërdorin këtë buxhet.

E, në një prononcim për Syri.net Kosova, Heta tha se po dëmtohen objektet kulturore në kryeqytet, që janë të mbrojtura dhe se bienalja është kthyer në festival.

“Manifesta ish dashur të funksionojë si bienale e jo si festival, pasi është një bienal që trajton dhe provon me gjet zgjidhje për ta fuqizuar skenën e artit dhe kulturës, ose ndonjëherë probleme të urbanizmit. Në rastin e Kosovës, kur është ftu për me ardh, qëllimi ka qenë me kriju hapësira të reja për art e kulturë, por, ne tashmë çka jemi t’u pa është se buxheti që i është ndarë prej 4 milionë eurove, është t’u shku në një far festivali dhe përfshin intervenime në objekte të mbrojtura të kulturës, siç është rasti më skandaloz për mu, zhvendosja e shkrimit ikonik të shkrimit të Grand Hotel nga Petrit Halilaj, apo objekteve tjera” tha ai.

I pyetur sa për kë ka nënkuptuar kur ka përmendur grupet kriminale, Heta tha se mjafton të hysh në listën e përfituesve dhe të shohësh se kush janë ata e çfarë të kaluar kanë, për t’a kuptuar se për kë është fjala.

“Sa i përket grupit mafioz që janë të përfshirë, duhet me pa listën dhe sheh se kush është i përfshirë dhe me çka është merrë përpara dhe qysh këta njerëz zakonisht saherë që iu vjen këso rasti, me këso buxheti, mbledhen aty dhe e shpërdorojnë në një farë forme,pa ndiku fare në nevojën e artistëve të Kosovës, për me iu përmirësu gjendja. Ato katër milionë euro që u janë nda në buxhet kanë me u shpenzu, ndërsa, gjendja e artistëve dhe ndërtesave do të mbesin ashtu siç janë tani dhe asgjë nuk do të përmirësohet edhe pse janë dhënë gjithë ato para” theksoi Heta.

Image

(Shpallja e listës së plotë të pjesëmarrësve)

Artisti tha po ashtu se komunikimi me MKRS-në apo Komunën e Prishtinës për këtë çështje është thuajse i pamundur, prandaj, formën e vetme për t’i shprehur pakënaqësitë e tij, i ka rrjetet sociale.

“Unë edhe nga Petriti kam tregu me u ndal kjo formë e funksionimit, i kam thënë kthejeni mbishkrimin e Grandit dhe harrojeni që do bëni festë me këtë punë, por, natyrisht, ata e kanë obligimin kontraktual dhe i grahin punës duke menduar se në këtë vend kushdo mundet të bëj çka do. Unë me Petritin kam punuar edhe më herët dhe faktikisht unë dëshpërohem me njerëz që e dinë se çka është trashëgimia, por, shpeshherë nuk e dinë kufirin se sa larg munden me shku, sidomos në vendin tonë. Ata çdo reagim e marrin si me qëllim të keq, mirëpo, ky është reagim i gjeneratës tonë, që e din se çka është Prishtina, ndaj asaj gjenerate që kënaqet me punën që nuk ka ndonjë arritje” shtoi tutje artisti.

Ndër të tjera, Heta u pyet se çka po mendon të ndërmarr, që zëri i tij të dëgjohet akoma më shumë, në lidhje me këtë bienale.

Ai theksoi faktin se nuk shpreson për ndikim të madh në KP ose në MKRS, por, habitet me artistët që dëshirën për t’u promovuar, po e vënë para interesave publike.

“Puna është se ka shumë pak hapësirë për të ndikuar në një mekanizëm që është aq i mbushur me buxhet, pra, ti përballesh me dy nivele të pushtetit, me MKRS-në që i ka dhënë 2 milionë euro dhe me Komunën e Prishtinës që i ka dhënë po ashtu 2 milionë euro dhe ata duhet me e mbyll këtë punë. Unë mendoj që duhet të ketë auditim për këtë punë, pra, çka ka ndodhur me atë buxhet, si ka ecë ky projekt dhe mos me lënë që në Kosovë gjithçka mundet me ndodh. Në këtë festival po e quaj, ka edhe artistë që kanë nevojë me ekspozu artin e tyre dhe ata nuk mundesh krejtësisht me i fajësu, por, unë brengosem si askush prej tyre nuk thotë: ngadal qetu edhe unë duhet me pa më shumë interesim e vendit tim, se sa atë personal. Unë e kuptoj që secili artisti don me u promovu, por, Manifesta më nuk e ka atë kredibilitet dhe kudo në Evropë po manifestohet me skandale” përfundoi Heta.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco