Listës së vizitave të shumta që i janë bërë ish presidentit Hashim Thaçi, iu shtuan edhe katër ish këshilltarë të tij. Kjo mësohet nga një postim i njërit prej tyre, z. Veli Bytyqi. Deri tash, ai është vizituar nga shumë figura publike, jo të çuditshëm si personalitete por megjithatë të çuditshëm si vizitorë të ish krerëve të UÇK-së.
Bytyqi ka shkruar në Facebook një përshkrim fare të thjeshtë: “Bashkë me miq e kolegë në Hagë të Holandës!”
Bashkë me të shihen edhe ish këshilltarët e tjerë të Thaçit si Blerim Shala, Bashkim Smaka e Ismajl Syla.
Ata kanë bërë fotografi para një kasinoje të quajtur “Holland Casino”, derisa me shumë mundësi kanë vizituar edhe ish kreun e shtetit, z. Hashim Thaçi që po mbahet në paraburgim që prej datës 10 nëntor 2020.
Së fundi, ish presidenti i Kosovës është vizituar edhe nga ana e kryetarit të Preshevës, z. Shqiprim Arifi.
Ndërkohë, listës së çuditshme të vizitorëve javën e kaluar iu bashkua edhe Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Konjufca është konsideruar si më i paanshëm në kryerjen e detyrës së tij zyrtare në krahasim me presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmani apo edhe shefen e diplomacisë, znj. Donika Gërvalla Schwarz.
Thaçin në Hagë e vizitoi edhe analisti shqiptaro-amerikan Uk Lushi. Përveç tij, Hagën për nder të Thaçit e Veselit e panë edhe bashkëpartiakë të dyshes në krye të PDK-së si Nait Hasani, Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi dhe të ngjashëm.
Një vizitë e çuditshme ishte bërë edhe më 10 prill nga këngëtari i muzikës hip-hop z. Mozzik. Ai kishte shkruar si vijon pas vizitës:
“Sapo përfundova vizitën në Hagë, ku takova Kadri Veselin! I fortë guri, i pathyeshëm si gjithmonë.” – kishte shkruar këngëtari.
Ndërkohë, pak gazetarë kanë marrë rrugën e Hagës. Ishte dy drejtuesit e televizionit Kanal 10 me emrat Arben Ahmeti dhe Fidan Rama të cilët kishin bërë publik takimin e tyre. Ndërkohë, Thaçi me liderët tjerë është vitizuar edhe nga gazetari nga Shqipëria, Blendi Fevziu.
Sidoqoftë, vizitori më i shpeshtë i ish liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Në vizitën e fundit që z. Rama e pati në Kosovë, u ndal madje edhe te familja e ish presidentit Thaçi dhe të cilëve iu tha se e kishte marrë malli për të birin e tyre.
Ai u shpreh se në njërin arsyetim të vizitës së tij kishte shkruar “Më ka marrë malli!”
“Kur kam plotësuar formularin, aty kishte një pyetje për çfarë arsye do ta takosh, aty kam shkruar me gërma gravitale ‘më ka marrë malli’, dhe kjo është e vërteta. Kështu që ka qenë nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme për mua të takohem me prindërit dhe familjen e tij,” – u shpreh z. Rama.
Kjo vizitë në konakun e z. Thaçi është parë nga shumë komentatorë politikë si e motivuar politikisht kundër kryeministrit aktual të Kosovës dhe kundërshtarit politik të Thaçit, z. Albin Kurti. Por të tjerë, kanë përshëndetur gjestin duke e cilësuar si “human”.
Kujtojmë që në një artikull të Nacionales publikuar më 13 maj dhe bazuar në dokumentet nga Ministria e Drejtësisë dilte se familja e ish presidentit Thaçi nuk kishte shpenzuar asnjë cent nga buxheti i shtetit për vizitat drejt Hagës.
© SYRI.net