Pa i bërë këto 10 gjëra mos shkoni në Haxh

Pa i bërë këto 10 gjëra mos shkoni në Haxh

14:41, 24/06/2022

PARAPËRGATITJA PËR HAXH

(Shkruan: Jusuf ef. Zimeri)

Hyrje

Haxhi është shtylla e pestë e Islamit, i cili për dallim nga katër shtyllat e tjera që kanë të bëjnë ose vetëm me segmentin trupor (shpirtëror) ose me segmentin ekonomik, haxhi në vete përfshinë që të dy segmentet, edhe atë trupor edhe atë ekonomik. Prandaj, haxhi si i tillë, nuk është thjesht vetëm një udhëtim turistik që synohet vetëm ahengu, por para së gjithash është adhurim (ibadet), i cili ndërlidhet me çështjen shpirtërore dhe me besimin, por edhe me çështjen trupore dhe atë financiare. Kjo na jep të kuptojmë se kryerja e haxhit nuk janë thjesht disa veprime që duhen kryer apo siç shprehen shpeshherë disa njerëz me shprehjen (adetet që duhet kryer), porse janë veprime që në esencë kanë besimin dhe bindjen, kurse në formë janë veprime të caktuara dhe në kohë të caktuar. Prandaj, marrë parasysh këto dy segmente, atë esencial dhe atë formal, konstatohet se haxhi është shumë më i ndërlikuar se sa e paraqesin njerëzit e thjeshtë. Nisur nga arsyeja e shëndoshë se haxhi nuk është turizëm por adhurim (ibadet) me rregulla të caktuara dhe vlera të mëdha, dhe me qëllim që ata që kanë vendosur të shkojnë në haxh për të kryer këtë detyrim (farz) islam dhe të kthehen me haxh të pranuar inshallah, dhe për të mos ngelë haxhi i jonë në nivel ekskursioni, jemi të detyruar t’i mësojmë rregullat dhe disiplinat qofshin ato shpirtërore, trupore apo financiare që ndërlidhen me këtë ibadet. Prandaj në këtë punim do të theksojmë disa veprime që janë në fazën e parapërgatitjes së kryerjes së këtij farzi islam i quajtur haxh, e nijetliu për haxh jo vetëm që duhet t’i mësojë, por edhe t’i aplikojë në përditshmërinë e tij. Nga këto veprime janë:

1. Haxhi të bëhet vetëm hir të Allahut të Madhërishëm

Që të arrihet kryerja e obligimit të pestë - haxhit, dhe që të shpërblehet haxhiu për këtë veprim, si dhe për të shijuar kënaqësinë e haxhit, nijetliu duhet që të jetë i pastër në nijetin (qëllimin) e tij. Qëllimi i tij duhet të jetë vetëm kryerja e adhurimit dhe arritja e kënaqësisë së Allahut xh.sh. me veprën e tij. Duhet të jetë i vetëdijshëm se bëhet fjalë për adhurim e jo për çështje tjera autoritative. Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij...” (El-Bejine, 05)

Nijetliu për në haxh, detyrimisht duhet të zhvishet nga të gjitha tendencat e tjera përveç synimit të adhurimit dhe arritjes së kënaqësisë së Allahut xh.sh.. Ai duhet të zhvishet nga mendjemadhësia ndaj të tjerëve, dhe të tregohet se është i pasur dhe se me këtë akt bëhet aga, të zhvishet nga qëllimi se duhet të fitojë titullin haxhi për shkak të dikujt apo për inat të dikujt, ose të shkojë në haxh vetëm e vetëm që të tjerët të thonë se filani shkoi në haxh. Haxhi me këto synime ngel vetëm në nivelin e turizmit të panevojshëm, sepse Pejgamberi a.s. në hadithin e tij thotë: “Vërtet veprat shpërblehen sipas qëllimit...” e nëse qëllimi është i mirë edhe vepra vlerësohet e mirë, e nëse qëllimi është i zymtë edhe vepra ngel në llogoret e zymtësisë.

Jo vetëm kaq, por dijetarët islamë kanë vlerësuar se ibadeti (adhurimi) me të cilin nuk synohet kënaqësia e Allahut xh.sh., por synohet ndonjë interes i jetës së kësaj bote, jo që nuk konsiderohet ibadet (adhurim) por konsiderohet mëkat për kryerësin, sepse ka keqpërdorur adhurimin për interesa të jetës së kësaj bote. Këtë më së mirë na e dëshmon rasti kur sahabiju Ebu Umame el-Bahailiju ka thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i tha: I pa filanin si luftonte, fitoi shpërblime dhe autoritet! Pejgamberi a.s. i tha: “S’ka asgjë për të.” Personi në fjalë ia përsëriti këtë tri herë pejgamberit a.s. e ai që të tri herët i tha të njëjtën përgjigje, pastaj tha: “Vërtet Allahu xh.sh. nuk pranon veprën (punën) e askujt, vetëm nëse është e sinqertë dhe me të synohet kënaqësia e Allahut xh.sh.” (Nisaiju në kapitullin e xhihadit). Prandaj që haxhiu të mos ngelë pa asgjë në haxhin e tij duhet që nijeti i tij të jetë i sinqertë dhe vetëm për Allahun xh.sh..

2. Të pendohet me pendim të sinqertë, para se të udhëtojë për haxh

Nijetliu i cili ka bërë nijet të vizitojë shtëpinë e Allahut xh.sh. (Qabenë) dhe të jetë mysafir i Allahut xh.sh., obligohet që të pendohet për të gjitha gabimet dhe mëkatet që i ka bërë me një pendim të sinqertë. Pendimi është detyrim i çdo besimtari në çdo kohë, por në rastet të caktuara siç është rasti i shkuarjes në haxh është momenti më i volitshëm të pendohet dhe të largohet nga veprimet e ndaluara. Dijetarët islamë, duke elaboruar argumentet që flasin për çështjen e pendimit, thonë: Nëse njeriu që shkon në haxh është i moshërritur dhe psikikisht i shëndoshë, dhe nuk pendohet për gabimet dhe mëkatet e bëra, ka frikë se edhe haxhi i tij është i papranuar tek Allahu xh.sh.. Të flitet për pendimin e sinqertë, është një temë shumë e gjerë, por ajo që duhet ditur haxhiu në këtë rast, është fakti se gabimet mes tij dhe Allahut xh.sh., pra që janë hak i Allahut xh.sh. kërkimi i faljes për to bëhet vetëm përmes gjuhës me bindje dhe sinqeritet duke kërkuar falje nga Allahu xh.sh., e nëse gabimi dhe mëkati janë nga ato veprime që ndërlidhen me njerëzit, pra që janë hak i njeriut, duhet të kompensohet dëmi dhe të kërkohet falje prej personit që i është bërë padrejtësia (zullumi), sepse pendimi në këtë rast varet nga dëshira e tij.

3. Të përkujdeset që pasuria me të cilën e kryen haxhin të jetë hallall

Nuk ka dilemë se pasuria e haramit ka ndikim dhe sjell pasoja të rënda për besimtarin islam në të gjitha sferat, përfshirë këtu edhe adhurimet e tjera që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me çështjen e ekonomike, siç është namazi dhe agjërimi, kurse ndikimi i haramit në adhurimet që ndërlidhen edhe me çështjen ekonomike është edhe më i madh në pranimin dhe mospranimin e adhurimit. Pasuria e haramit ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në mënyrën e jetesës. Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Kush i blenë një palë rroba për dhjetë dërhem, prej të cilëve vetëm një dërhem është nga harami, Allahu nuk do t’ia pranojë namazin, derisa ai rrobë të jetë në trupin e tij.” (Ahmedi në musnedin e tij).

Konsumimi dhe përdorimi i pasurisë së haramit shkakton pasoja të pa riparueshme nëse njeriu nuk pastrohet me kohë prej saj. Nga pasojat e pasurisë haram janë: humbja e bereqetit të pasurisë, shfaqja e hidhërimit të Allahut xh.sh., shkaktimi i varfërisë shpirtërore dhe zemërore, mospranimi i lutjeve, ndëshkimi në varr, mospranimi i sadakave dhe hyrja në zjarr të xhehenemit. Në hadithin e transmetuar nga Buhariu, Pejgamberi a.s. ka thënë: “O ju njerëz, vërtet Allahu është i bukur (i mirë) dhe nuk pranon tjetër vetëm se të mirën. Vërtet Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar pejgamberët dhe ka thënë: “O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni. (El-Mu’minun, 51) dhe tha: (O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë, dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni. (El-Bekare, 172), pastaj përmendi një njeri i cili për shkak të udhëtimit të gjatë i rraskapitur dhe i pluhurosur që i kthen duart e tij drejt qiellit dhe thotë: O Zoti im, Zoti im, mirëpo ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram, është ushqyer me haram, e si t’i pranohet atij lutja.” (Muslimi).

Fukahatë islamë duke shqyrtuar të gjitha argumentet autentike që kanë të bëjnë me këtë çështje kanë konstatuar se në haxh nuk shkohet me pasuri të haramit, por nëse shkon dhe e kryen haxhin duke i plotësuar ruknet (farzet) dhe kushtet e haxhit, obligueshmëria e tij bie, por ky haxh nuk mund të shoqërohet me shpërblime, pra nuk klasifikohet në haxhin që shpërblimi i tij është Xheneti.

4. Shpagimi i borxhit para se të shkojë në haxh

Borxhi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit ekonomik islam dhe si i tillë po ashtu ka ndikim edhe në çështjen e adhurimeve e veçanërisht në adhurimet që kanë edhe karakter ekonomik, siç është zekati dhe haxhi. Fukahatë islamë zvarritjen e shpagimit të borxhit pa nevojë ose nga pakujdesia e trajtuan si veprim të shëmtuar dhe mëkat të madh dhe e inkorporuan në keqpërdorimin e pasurisë së tjetrit, veprim ky për të cilin ka ndaluar sheriati islam. Disa prej fukahave islamë zvarritësin e borxhit pa nevojë e kanë klasifikuar me dispozitën e fasikut, njeri ky nga i cili nuk pranohet as dëshmia e tij. Personit të cilit duhet t’i paguhet borxhi, ka të drejtë të ngritë padi në gjykatë dhe gjykatësi si sanksion ka të drejtë arresti derisa ta paguaj borxhin.

Pikërisht duke u mbështetur në këto arsye, personi i cili ka bërë nijet haxhin, para se të shkojë në haxh, duhet të bëjë përpjekje të shpaguaj borxhin nëse ka borxh, në të kundërtën nuk lejohet të shkojë në haxh, me përjashtim nëse borxhliu i ka dhënë leje që borxhin t’ia paguaj më vonë. Vlerësohet kështu ngase borxh dhënësi që pret t’i kthehet borxhi, me zvarritjen e tij konsiderohet palë e dëmtuar, për të cilën Pejgamberi a.s. na e tërheq vëmendjen që të kemi kujdes nga lutjet e tij.

Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. thuhet: Një njeri erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam obligim haxhin, por kam borxh?” Pejgamberi a.s. i tha: “Paguaje borxhin tënd.”

Në lidhje me këtë çështje transmetohet se kur kishte vdekur njëri prej sahabëve, kishte lënë borxh pas veti dhe nuk kishte lënë pasuri për të shpaguar borxhin. Kur e mësoi këtë Pejgamberi a.s. nuk ia fali namazin e xhenazes, derisa doli Aliu r.a. dhe garantoi se ai do t’ia paguaj borxhin, atëherë Pejgamberi a.s. ia fali namazin e xhenazes. Në hadithin tjetër, Pejgamberi a.s. thotë: “Shpirti i besimtarit është i lidhur me borxhin e tij, derisa t’i paguhet borxhi.” (Tirmidhiu).

5. T’i mësojë rregullat e haxhit para se të shkojë në haxh

Meqenëse haxhi nuk është adhurim ditor siç është namazi, por është adhurim që besimtari islam detyrohet një herë në jetë, është normale që jo secili t’i dijë mirë rregullat e haxhit. Prandaj nijetliu për haxh ka për obligim që para se të niset për në haxh, të interesohet dhe të ulet para dijetarëve që të mësojë rregullat e haxhit ose të marrë literaturë përkatëse për haxhin.

6. Të përgatitet shpirtërisht dhe psikikisht

Haxhi të bëhet në formën e organizuar dhe të ketë udhëheqës të haxhit, i cili do t’u prijë haxhive në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me haxhin. Kjo ishte praktika e Pejgamberit a.s. dhe praktika e udhëheqësve të drejtë pas Pejgamberit a.s.. Prandaj, haxhiu gjatë kryerjes së haxhit duhet t’i nënshtrohet instruksioneve të udhëheqësit të haxhit, e për këtë duhet të jetë i përgatitur shpirtërisht dhe psikikisht. Haxhi nuk është çështje e lehtë e as e thjeshtë siç pretendojnë disa, atje paraqiten situata të ndryshme dhe të llojllojshme, prandaj haxhiu detyrimisht duhet të jetë i mobilizuar me durim (sabër) e jo të lëshojë gjuhën e tij dhe të shajë, ofendoj të gjithë ata që gjenden rreth tij. Haxhi nuk mund të kompletohet nëse haxhiu nuk e ka durimin (sabrin) në nivelin e duhur.

7. Me vete të marrë pasuri aq sa ka nevojë

Të marrë me vete pasuri për aq sa ka nevojë për shpenzime, duke mos e tepruar e as duke mos i lënë mangët nevojat e tij gjatë udhëtimit. Nuk është mirë që haxhiu gjatë kryerjes së haxhit të tregojë koprracinë e tij, dhe të presë që dikush tjetër t’i dhurojë diçka duke kërkuar lëmoshë. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohet se familjen që e ka lënë në vendlindje të ketë pasuri të mjaftueshme për nevojat ditore derisa të kthehet nga haxhi.

8. Shpërndarja e sadakasë para shkuarjes në haxh

Nijetliu për në haxh para se të niset për në haxh është e preferuar që të japë sadaka të varfërve aq sa ka mundësi, e disa dijetarë kanë thënë së paku shtatë të varfërve. Vlerësohet kështu ngase sadakaja e dhënë ia lehtëson rrugën dhe veprimtarinë e mëtutjeshme. Disa nga selefët e ndershëm kanë thënë: Jepu sadaka të varfërve dhe nisu për rrugë në cilëndo kohë qoftë.

9. Falja e dy rekateve namaz nafile

Para se të niset për haxh dhe të dalë nga shtëpia e tij, është e preferuar që të falë dy rekate namaz nafile të udhëtimit. Në rekatin e parë të këndojë Fatihan dhe suren Kafirun, kurse në rekatin e dytë suren Fatihan dhe suren Ihlas. Disa fukaha kanë thënë se në rekatin e parë këndohet surja Felek, e në rekatin e dytë surja Nas. Pas dhënies së selamit është e preferuar të këndohet ajetul kursija dhe të bëhet lutje.

10 Të përshëndetet me familjen, të afërmit dhe fqinjët

Nijetliu për në haxh, është e preferuar që të përshëndetet me familjen e tij, vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij dhe njëkohësisht të kërkojë prej tyre që të bëjnë lutje për të dhe ai të lutet për ta.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco