Ftohet Kosova që t'i bashkohet 'Ballkanit të Hapur', ja krejt çka u tha në samit

Ftohet Kosova që t'i bashkohet 'Ballkanit të Hapur', ja krejt çka u tha në samit

19:07, 08/06/2022

Në Ohër sot është mbajtur dita e dytë e samitit të nismës “Ballkani i Hapur”. U nënshkruan katër marrëveshje.

Në nismën që kundërshtohet nga Kosova, pjesëmarrës ishin edhe Gabriel Escobar (virtualisht) dhe Oliver Varhelyi. Pothuajse secili që foli, i bëri ftesë Kosovës që t’i bashkohet kësaj iniciative.

Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të deklaratave të liderëve.

Samitin e hapi Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili ftoi Kosovën t’i bashkohet ”Open Ballkan”.

Ai deklaroi se ftesa për kryeministrin Kurti mbetet ende e hapur.

“Sot bashkë me ne janë kryeministri i Malit të Zi, Abazoviq dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH, Tegeltia. Ftesa për kryeministrin e Kosovës mbetet e hapur. Unë jam i bindur se benefitet e Ballkanit të Hapur i meritojnë dhe do ti marrin edhe qytetarët e Malit të Zi, BeH dhe Kosovës”, tha Kovaçevski.

Ai u shpreh i bindur se nisma do të bëhet më atraktive.

“Kërkojmë që Bashkimi Evropian ta mbështes këtë mund tonin dhe ta njeh si inspirim për zgjidhjen e problemeve të veta. Të gjithë ne në Ballkanin e Hapur jemi të bindur që kjo iniciativë do të bëhet më atraktive”, tha Kovaçevski.

Fjala më pas iu dha Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se askush nuk mund t’i ndalojë nismën e Ballkanit të Hapur.

“Nuk mund të na ndalojë askush. Kjo varet vetëm nga ne, nga askush tjetër”, tha Vuçiq.

Vuçiq e ftoi Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën, që t’i bashkohen Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në takimin e ardhshëm, të cilin propozoi ta mbajnë në Serbinë jugore.

“Janë të mirëseardhur në këto marrëveshje, dhe nëse dëshirojnë, të marrin pjesë në formimin e grupeve punuese edhe përfaqësuesit e Bosnjë-Hercegovinës, Prishtinës, Malit të Zi, e kështu me radhë”, tha presidenti serb.

Ai e falenderoi të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar për pjesëmarrjen virtuale dhe Shtetet e Bashkuara që, siç tha, “e mbështesin këtë iniciativë”.

Vuçiq e falenderoi edhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili tha se po merr pjesë atje vetëm si vëzhgues.

“Nëse dëshironi, urdhëroni, nëse nuk dëshironi është dëshira juaj. Askush nuk do t’ju detyroj. Kjo është iniciativa jonë, iniciativa e njerëzve nga Ballkani. Iniciativë e atyre që e kanë kuptuar se duhet të lidhen dhe t’i zgjidhin vetë problemet e tyre”, tha Vuçiq.

Fjalën më pas e mori Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ha mesazhe në adresë të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti që po e refuzojnë nismën shkaku i Serbisë.

Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se është i vetëdijshëm për lidhjet serbo-ruse dhe për konfliktin Kosovë-Serbi, por se Ballkani i Hapur është një nismë që nuk ia kthen “kurrizin të ardhmes”.

“Ne s’e kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që ka Serbia me Rusinë, s’e kemi pritur luftën për të mësuar që mes Serbisë dhe Rusisë ka një histori, s’e kemi pritur luftën në Ukrainë se mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur. Këto i kemi ditur që të gjitha, por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes kemi zgjedhur këtë të dytën. Sot jemi këtu sepse duam të shkojmë drejt të ardhmes, pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura, por për t’u bindur se problemet zgjidhen vetëm nëse afrohemi. Vetëm nëse ne ditë për ditë kuptojmë më lirë sesa të rëndësishëm jemi për njëri-tjetrin”, ka thënë Rama.

Rama mori edhe shembullin e konflikteve në mes të SHBA-së dhe Japonisë, Francës e Gjermanisë, Izraelit dhe Emirateve Arabe dhe zhvillimit të raporteve në mes të këtyre shteteve më pas, duke u munduar që të përçojë mesazhin se duhet shikuar nga e ardhmja,

Ai ka vazhduar argumentimin e tij se pse është e dobishme kjo nismë, të cilën po e refuzon Kosova.

Sipas Ramës, shqiptarët e Shqipërisë janë pro saj dhe se janë ata që përfitojnë nga marrëveshjet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këtë drejtim, ai tha se janë duke e bërë edhe një mekanizëm të përbashkët për të shuar zjarret nga ajri, prandaj ai e pat edhe një pyetje për ata që janë kundër Ballkanit të Hapur, derisa foli edhe për arritjen e mundshme të paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mos vallë duhet më mirë të digjen pyjet sesa të na ndihmojë shkjau? Unë nuk i besoj këto, unë besoj fort se sa më shumë në afrohemi aq më shumë shanse ka për t’i zgjidhur edhe konfliktet, aq më shumë shanse ka që të bëhet paqja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, një temë për të cilën s’e kam asnjë dakordësi me presidentin Vuçiq, por këtu, zgjidhja është shumë e thjeshtë: ose kjo mosdakordësi kthehet në një konflikt permanent, me të gjitha ato boshllëqe që pastaj mbeten në ekonominë tonë e sigurinë tonë, ose e kundërta duhet bërë – afrohemi sa më shumë që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe që në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm që e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, deklaroi Rama.

Pjesëmarrës në këtë samit ishte virtualisht edhe i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocobar.

Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin nismën “Ballkani i Hapur”.

“Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të stabilizuar Ballkanin. SHBA-ja nuk e sheh Ballkanin si një pikë e problemeve nga e kaluara, por në prizmin e së ardhmes. SHBA-ja e përkrah nismën ‘Ballkani i Hapur’ sikur edhe të gjitha nismat tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe nëse ka sukses duhet të mbështeten nga të gjithë, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Escobar.

Escobar tha kjo iniciativë duhet t’i përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë, në mënyrë që të jetë e suksesshme.

“Besojmë se nëse kjo iniciativë do të ketë sukses, duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për një integrim ekonomik duhet t’i përfshijë të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë dhe këtu dëshiroj që të jap disa propozime”, tha Escobar.

Escobar dha disa propozime për këtë nismë, që të ketë sukses.

“E para, sikur edhe që e përmenda, ka shumë mundësi, ka shumë iniciativa për integrime… prandaj ju jap kurajo liderëve të Ballkanit Perëndimor që të kërkojnë mënyra se si të bashkëpunojnë me iniciativa tjera të cilat veç më ekzistojnë në rajon. Me këtë ju do të kuptoni se nuk do të duplifikohen punët, por do të ketë një integrim më të mirë.

E dyta, njëashtu duhet të keni edhe një plan për zhvillim institucional. Përparësia e Ballkanit Perëndimor është fuqia ekonomike, rritja e konomike, mirëpo kemi edhe përparësitë tjera konkurrente. Për shembull, krijimi i kushteve më të volitshme për investitorët, pastaj përkrahje më e madhe për e-qeveritë. Por më e rëndësishmja është kirjimi i mundësisë dhe zhvillimit institucional për institucionet të cilat duhet të zvogëlojnë, mundohen t’iu shmangen pagesës së tatimeve. Duhet një ekonomi që do t’iu ndihmojë investitorëve të cilët dëshirojnë të punojnë lgijërisht.

Gjithashtu, i përkrahim edhe liderët e kësaj iniciative të kyçen më tepër dhe të kenë më tepër anë interesi, të bashkëpunojnë që të jenë të gjithë të interesuar për këtë treg të përbashkët. Përmes CEFTA-s apo Ballkanit të Hapur.

Më në fund, ju mbështes që kjo iniciativë të jetë ekonomike. Ky nuk është projekt politik, por është një projekt shumë i rëndësishëm ekonomik. Dhe me rëndësi është që të mbetet projekt ekonomik në mënyrë që të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e regjionit dhe të keni përkrahje më të madhe”, ishin propozimet e Escobar.

Në samit foli edhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili tha se shpreson që edhe Kosova të jetë pjesë e kësaj nisme.

“Ideja është kjo që vijon, hapi i parë është që të kemi marrëdhënie të mira dhe dialog, ky shpie në mirëbesimin tonë të ndërsjellë, që të mos kemi frikë nga njëri-tjetri dhe së bashku të veprojmë në aktivitete”, deklaroi Abazoviq.

“Jemi të interesuar edhe për sezonin e zjarreve që bashkë me ju t’i ndihmojmë vendeve, jemi të interesuar të kemi edhe oferta të përbashkëta turistike. Edhe këtë vit ju ftojmë që të vini në mënyrë masovike në Mal të Zi. Unë pres që me këtë strukturë, që edhe me kryeministrin e gjashtë të Kosvoës, të vini në Mal të Zi që bashkë të ulemi e të flasim për nisma të përbashkëta. Kjo është rruga dhe mundësia e vetme që mund të dëshmohemi edhe para qytetarëve tonë, por edhe para Brukselit dhe Ëashingtonit”.

Sipas tij, liderët e Ballkanit Perëndimor largohen nga BE’ja me deklaratat e tyre kundër njëri-tjetrit kur shkojnë në Bruksel.

“Kur keni liderë të Ballkanit që shkojnë në Bruksel e flasin kundër njëri-tjetrit, pa mundësinë për të gjetur zgjidhje për vete, krijojmë kushte për të qenë sa më larg BE. Shpresoj  që herën tjetër të jemi gjashtë shtete që do ulemi këtu e do flasim për nevojat e qytetarëve. Edhe mesazhi drejt BE do jetë shumë ndryshe nga është tani. Kjo pjesë e botës, pa marrë parasysh çdo vështirësi që ka kaluar i përket familjes së madhe europiane. Duhet të ndryshojmë sjelljen, deri diku edhe mentalitetin tonë. Duhet të dërgojmë mesazhe optimiste, jemi mjaft pesimistë për gjithçka që na ndodh këtu”, deklaroi Abazoviq.

Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerim i BE, Oliver Varhelyi, tha “Ballkani i Hapur” është një mundësi e mirë për rajonin.

““Pjesëmarrjen time e shoh si ftesë që BE-ja të jetë pjesë e procesit. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk është vetëm e mirë, të gjithë e mbështesin, por është edhe si mundësi që rajoni ta ndryshojë realitetin dhe t’i ndryshojë sfidat, me të cilat po përballet qe shumë vjet, për të mos thënë dekada”.

“Mund të jetë edhe si mundësi për përjashtimin e rrugës drejt BE-së. Vlerësoj, nëse punën e bëjmë mirë, do të përshpejtohet integrimi ekonomik i rajonit por edhe integrimin real i rajonit në BE”, ka deklaruar Varhelyi.

Kosova e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit.  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco