Dështimi i takimit në Bruksel për targat: Vazhdon qarkullimi me letra ngjitëse

Dështimi i takimit në Bruksel për targat: Vazhdon qarkullimi me letra ngjitëse

07:52, 14/05/2022

Të premten, palët negociatore nga Kosova dhe Serbia dështuan të arrijnë marrëveshje për targa gjatë një takimi të ndarë që patën me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas përfundimit të takimi, Bislimi tha se pritjet për arritjen e marrëveshjes kanë qenë të mëdha, pasi takimi ishte ftuar nga pala serbe, e cila kishte deklaruar se do të vinte me propozime konkrete.

Por, sipas Bislimit, arsyeja pse nuk ka marrëveshjes është se pala serbe ka ikur për në aeroport dhe nuk ka mundur të qëndrojë deri në fund.

“Fatkeqësisht pamë sjellje të çuditshme të palës serbe. Thotë se ka ide po s’mund ta shpalosë se ka probleme politike. Udhëtimi ka qenë krejt i kotë sepse si duket kanë ardhur në Bruksel sa për të krijuar lajmet në media se dëshirojnë të bisedojnë, por pa kurrfarë ideje, propozimi a zgjidhje”, është shprehur para mediave ai.

“Unë kam kërkuar takim trepalësh, por si duket në momentin kur pala serbe është konfrontuar me këtë kërkesë, i ka ardhur një intervenim nga Serbia. Ata kanë dashur ta keqpërdorin këtë dhe ta fusin një temë të re në agjendë dhe kanë thënë se mund të ndodhë takimi trepalësh nëse fillimisht bisedohet për Asociacionin e Komunave Serbe, ku natyrisht nuk kemi mundur të pranojmë për arsye se agjenda ka qenë e paracaktuar”, ka deklaruar Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se nuk është takuar me kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi, pasi, sipas tij, ai ka refuzuar të diskutojë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe çështjen e personave të pagjetur.

Ai ka thënë se bisedimet e sotme në Bruksel janë rënduar me vendimin, që ata e cilësojnë të paligjshëm, të Prishtinës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“E shfrytëzova këtë moment edhe për të protestuar fuqishëm kundër vendimit të paligjshëm dhe të njëanshëm të Prishtinës”, u tha Petkoviq gazetarëve pas takimit.

Për këtë takim në Bruksel të premten ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se Beogradi zyrtar nuk është i interesuar të arrijë marrëveshje.

“Nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, por besoj që ndërmjetësuesi Lajçak do ta shpjegoj se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema. E di që kyrenegociatori ynë, Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi s’është i interesuar të ketë marrëveshje”.

“Ndërkaq, ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit, që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, ka thënë Kurti për RTK-në.

Pas takimit të fundit, BE-ja pati dalë me një deklaratë që derisa të mos ketë marrëveshje të reja, regjimi me letra ngjitëse do të vazhdojë të zbatohet.

Sipas zyrtarëve të BE-së mandati prej gjashtë muajsh ka qenë për grupet punuese e jo për të arritur zgjidhjen finale.

Tani kjo çështje do të diskutohet në nivel të kryenegociatorëve.

Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat, e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar, parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

Kjo marrëveshje ka dalë pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco