S’ka reformë, në raportet evropiane nuk ekziston “progresi” në qeverisjen e Kurtit

S’ka reformë, në raportet evropiane nuk ekziston “progresi” në qeverisjen e Kurtit

10:49, 02/02/2022

Një tabelë krahasuese që bëri Gjykata Europiane e Llogarive (Kontrolli Suprem i Fondeve të BE-së), hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit Kurtit, se Kosova shënoi përparim në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020, në përmbushjen e kritereve për të hyrë në BE.

Kurti kishte thënë se përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian do ta kishin zili jo vetëm vendet e Ballkanit, por edhe disa vende të BE-së. Por, po del të jetë krejtësisht e kundërta.

“Në këta gjashtë muaj të Qeverisë, kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve, që përbën progres të madh shoqëror, që do ta kishin zili, jo vetëm e rajonit, por edhe jo pak vende të Bashkimit Evropian”, kishte thënë Kurti.

Por, Kosova gjatë vitit 2020 po rezulton të ketë pasur përgatitjen më të dobët në lidhje me reformat, që duhet të përmbushen për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Gjykata Evropiane e Llogarive në tabelën krahasuese, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia, ka vlerësuar me një rreth të kaltër reformat që kanë përparuar, ndërsa me të gjelbër janë shënuar reformat që kanë nisur dhe kanë përparuar pak.

Sipas kësaj tabele, Kosova në asnjërën çështje nuk ka vlerësim të “kaltër” që ka përparuar, ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Turqia.

Nga 35 çështjet e analizuara, Kosova pati përparim të moderuar vetëm në katër fusha, ndërsa në katër fusha të tjera është ende në fazën fillestare, transmeton Demokracia.com.

Sa i përket plotësimit të kushteve, përparim të lartë ka bërë vetëm Turqia. Nga 35 kritere, në 10 prej tyre Turqia kishte ecuri pozitive, ndërsa për tre kritere si lidhjet logjistike me BE-ne, ecuria e shkencës dhe legjislacioni i kompanive mori vlerësim shumë të lartë të ecurisë.

Anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) është në agjendën aktuale të zgjerimit të ardhshëm të BE-së. Kosova është njohur nga ana e BE, si një kandidate potenciale për anëtarësim në të ardhmen.

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian zyrtarisht janë vendosur më 6 nëntor të vitit 2002, me të ashtuquajturin Mekanizëm Përcjellës i Stabilizimit (STM). Ndërsa janë rikonfirmuar edhe në Samitin e Selanikut në qershor të vitit 2003. Më 1 prill të vitit 2005, Komisioni Evropian ka miratuar një komunikatë mbi të ardhmen evropiane për Kosovën. Më tutje ato janë konsoliduar edhe gjatë procesit të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco