Ambasadori i ri paralajmëron angazhim të fuqishëm amerikan në dialog

Ambasadori i ri paralajmëron angazhim të fuqishëm amerikan në dialog

22:47, 26/01/2022

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se tash qytetarët e Kosovës do të shohin angazhim të fuqishëm amerikan.

Në intervistën për Radio Televizionin Publik të Kosovës (RTK), Hovenier është pyetur se a ka ndonjë gjasë që të ketë të dërguar të posaçëm të SHBA’ve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA’të kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë aktive dhe në mbështetje të këtij dialogu.

“Përgjigja ime për këtë do të ishte që ky është dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me shumë ndihmë nga të tjerët. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë aktive dhe në mbështetje të këtij dialogu. Ne besojmë që është e duhur që lehtësohet nga BE-ja. Kjo assesi nuk duhet të kuptohet si tërheqje të Amerikës nga roli udhëheqës. Gjithashtu është pranim i realiteti që trajektorja afatgjatë e Serbisë dhe trajektorja afatgjatë e Kosovës janë në Evropë. Ne besojmë që është e drejtë që BE-ja është lehtësuese e këtij dialogu meqenëse ka mundësinë që të ofrojë stimujt për të arritur te kjo marrëveshje për normalizim”, ka thënë Hovenier.

Tutje Hovenier është pyetur se a është dinamikë e re në procesin e dialogut, kur shihet se në Beograd është emëruar ambasador Chris Hill, Eskobar për Ballkanin si dhe ai vet ambasador në Kosovë.

“Mendoj se është e drejtë të thuhet që do të shihni…ka pasur angazhim të fuqishëm amerikan në të kaluarën, por mendoj gjithashtu mund të thuhet se do të shihni angazhim të fuqishëm amerikan tani. Do të ishte vështirë të gjesh që di më shumë për këto çështje dhe historikun e këtyre çështjeve se sa Chris Hill-i. Pres me padurim dhe shpresoj që Senati ta konfirmojë së shpejti. Edhe unë kam ca përvojë, si dhe natyrisht me Gabe Escobar, i cili është emëruar I dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, keni dikë që ka përvojë të madhe – në rajon dhe si diplomat. Duam ta çojmë këtë çështje përpara dhe mendoj se kemi qenë të qartë për këtë”, ka thënë në fund ambasadori amerikan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco