Pse në Kosovë gjithmonë dështojnë arrestimet e zyrtarëve publikë

Pse në Kosovë gjithmonë dështojnë arrestimet e zyrtarëve publikë

13:39, 22/01/2022

Sistemi i drejtësisë në Kosovë po konsiderohet i brishtë nga njohësit e çështjeve juridike, të cilët vlerësojnë se përkundër arrestimeve që janë bërë ende askush nuk është dënuar.

Në vitin 2021 një numër i madh i zyrtarëve publikë u arrestuan nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, dhe vepra tjera penale.

Ndër aksionet më të mëdha të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës ishin “Subvencioni”, “Thesari i Shtetit” e po ashtu rasti “Brezovica”, këto operacione u realizuan në komuna të ndryshme, ku edhe rezultuan me numër të madh të zyrtarëve publikë. Para këtyre aksioneve, ishte i njohur edhe rasti i klanit “Pronto”.

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se sistemi gjyqësor në Kosovë vazhdon të jetë i manipuluar.

“Sistemi gjyqësor gjatë kësaj periudhe, vitet pas pavarësisë por edhe përpara ka dështuar i tëri në të gjitha pikat e mundshme të përpjekjeve për të dhënë legalitetin dhe legjitimitetin në këtë sistem, më fjalë të tjera sundimin e ligjit. Sepse për veprat më cenuese, cenimi i kushtetutshmërisë së vendit, nga veprimet e caktuara të kryerësve të veprave penale, pra është vënë në një lojë të pa shembull të gjyqësorit, i cili ka qenë i manipuluar dhe i ndikuar qoftë në mënyrë direkte apo indirekte nga jashtë, nga qeveritarë të ndryshëm”, është shprehur ai.

Baraliu shtoi tutje se, Policia, Prokuroria dhe Gjyqësori gjithmonë e kanë bartur përgjegjësinë te njëri-tjetri.

“Bashkëpunimi i Policisë me Prokurorinë dhe Gjyqësorin, gjithmonë njëra anë ka tentuar duke qenë e ndikuar ose në forma të ndryshme të veprimit joadekuat, legjitim dhe legal, dhe kanë bartur përgjegjësinë te njëri tjetri. Për të përfunduar pastaj të pafajshëm, ose duke lënë qëllimisht në sirtarë vepra të ndryshme të keqbërësve. Për rrjedhojë, e kemi një gjendje kaotike në sistemin e drejtësisë”, pohoi ai.

Duke folur për sistemin e drejtësisë, Baraliu vlerësoi se me ketë gjendje nuk mund të shkohet përpara, pa bërë ndryshime kapitale.

“Me ketë gjendje të kapjes së shtetit brenda tij të sistemit të drejtësisë, nuk mund të shkojmë përpara pa bërë ndryshime kapitale dhe serioze. Kjo nënkupton që kjo përgjegjësi, këto institucione kanë për detyrë që më kujdesin maksimal të bëjnë plotësim ndryshimin e ligjeve, për t’i ndryshuar gjërat në këto vite, dhe vënien në binarët e duhur të legjitimitetit dhe sundimit të ligjit, përndryshe as liberalizim të vizave, dhe as përparim në proceset integruese nuk mund të ketë Kosova”, theksoi ai.

Mes tjerash, analisti tha se ligjet që po propozohen nuk duken shumë të analizuara.

“Duhet të shpejtojnë dhe të kenë ligje serioze të ndryshuara dhe të pastrohet edhe gjyqësori nga elementet që e kanë penguar sistemin e drejtësisë te ne”, përfundoi ai.

Ndërsa, Leotrim Gashi, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, pohoi për Telegrafin se në vitin 2021 sistemi i drejtësisë nuk ka dërguar asnjë zyrtarë të lartë prapa grilave të qendrave korrektuese.

“Ashtu siç kishte ndodhur edhe në vitet e kaluara ka pasur shumë procedura të nisura penale ndaj zyrtarëve të lartë e të ulët të shtetit, mirëpo as në vitin 2021 sistemi i drejtësisë nuk ka dërguar asnjë zyrtar të lartë prapa grilave të qendrave korrektuese, pra edhe ky vit përfundoi pa asnjë aktgjykim dënues për zyrtarët e lartë të cilët janë akuzuar se kanë keqpërdorur detyrat shtetërore”, theksoi ai.

Leutrim Gashi

Gashi shtoi tutje se, përpos se nuk ka pasur progres në trajtimin e rasteve të korrupsionit, gjatë vitit 2021 IKD ka identifikuar raste të cilat kanë shënuar dështim akoma më të lartë të sistemit të drejtësisë kur ka gjykuar zyrtarët e lartë.

“Pavarësisht se para shumë vitesh kishin nisur shumë procedura penale ndaj këtyre zyrtarëve, për shkak të kalimit të madh të viteve, edhe pse pretendohej se buxhetit të shtetit i janë shkaktuar dëme të mëdha, rastet ndaj disa prej tyre për shkak të vjetërsimit të lëndëve ato kanë përfunduar pa u ditur nëse të njëjtit janë fajtor apo të pafajshëm”, tha ndër tjera ai.

Gjatë bisedës, Gashi foli edhe për rastet “Subvencioni” dhe “Brezovica”, teksa tha se nëse nuk trajtohen me profesionalizëm, atëherë do të përfundojnë vetëm me ‘spektakle mediatike’.

“Ne edhe gjatë këtij viti kemi parë shumë arrestime të zyrtarëve publik që dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, si rastet ‘Subvencionet’ apo ‘Brezovica’, mirëpo nëse këto raste apo raste të tjera të ngjashme nuk trajtohen me profesionalizëm nga ana e Policisë, Prokurorit të Shtetit dhe Gjykatës, atëherë edhe këto raste mund të përfundojnë vetëm me ‘spektakle mediatike’ e duke shqiptuar disa muaj paraburgim apo arrest shtëpiak për zyrtarët e arrestuar”, ka deklaruar Gashi.

Lidhur me këtë çështje, Telegrafi ka dërguar edhe disa pyetje në Prokurorinë Speciale për të mësuar se deri ku kanë shkuar rastet e zyrtarëve publikë të arrestuar për vepra të ndryshme penale, dhe sa është numri i zyrtarëve të dënuar, por që deri këto momente nuk ka pranuar ndonjë përgjigje. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco