Ministria e Ekonomisë me dyshime se dikush qëllimisht po intervenon nëpër trafo

Ministria e Ekonomisë me dyshime se dikush qëllimisht po intervenon nëpër trafo

10:00, 26/12/2021

Ministria e Ekonomisë po dyshon se dikush qëllimisht po ndërhyn nëpër siguresa të trafove të rrymës në rastet kur reduktimet po janë të gjata.

Në një postim të saj në Twitter, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se kanë pranuar dhjetëra raportime nga qytetarët për reduktime të rrymës që kanë zgjatur më shumë se dy orë.

“ME & Inspektorati i Energjisë do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për t’i sjellur para ligjit personat fizikë e juridikë të cilët shfrytëzojnë krizën e energjisë elektrike dhe reduktimet e planifikuara, për të penguar furnizimin me energji e trajtimin e barabartë të qytetarëve”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo ka thënë se plani i reduktimeve është 8 orë furnizim me energji elektrike dhe 2 orë pa furnizim dhe ky plan duhet të implementohet në mënyrë të barabartë.

“Nëse kjo nuk ndodh, siç edhe tregojnë raportimet nga terreni, atëherë ME është e obliguar që të marrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat e saj”, thuhet në njoftimin e Rizvanollit.

Ajo gjithashtu ka treguar se i ka ftuar në takim urgjent KEDS, KESCO, KOSTT dhe ZRrE-n ku ka kërkuar të respektohet orari i reduktimeve dhe ka kërkuar nga KEDS të ndalë devijimet.

“Duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës për të hetuar rastin. Ndër të tjera, në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarët ku vërehet heqja e disa siguresave nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale”, thuhet në këtë reagim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco