VV-ja akuzon PDK-në për koalicion “të heshtur” me LDK-në në Lipjan

VV-ja akuzon PDK-në për koalicion “të heshtur” me LDK-në në Lipjan

23:07, 24/12/2021

Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për koalicion “të heshtur” me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas VV-së, PDK-ja në Lipjan e nisi mandatin së bashku me LDK-n për të marrë vendime duke e bërë shumicën 2/3 të votave për projekte të caktuara në interes të përbashkët.

“Edhe pse jozyrtarisht, sot gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Lipjanit, u dëshmua edhe njëherë se bashkëpunimi ndërmjet tandemit të vjetër LDK e PDK po thellohet edhe në Lipjan. PDK e Lipjanit, përveçse u kujdes që të votonte me zell thuajse të gjitha pikat e rendit të ditës të servuara sot nga ekzekutivi i Lipjanit, tregoi servilizëm të pashoq në fjalimet e adresimet gjatë fjalëve publike”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

E gjithë ky reagim dyshohej se ka ardhur pas deklaratës së shefit të grupit të PDK-së në Lipjan Arsim Jashari, i cili u zotua për ta mbështetur ekzekutivin në projekte të ndryshme që kanë për qëllim interesin publik.

 

“Partia Demokratike e Kosovës, përtej dallimeve politike dhe partiake, si gjithmonë do të përkrahë projektet të cilat janë në të mirë të përgjithshme, që i kontribuojnë zhvillimit të përgjithshëm të komunës së Lipjanit, si dhe ngritjes së cilësisë së qeverisjes komunale. PDK, është pozicionuar qartë për qëndrim në opozitë në përputhje me vullnetin qytetar”, ka thënë Jashari gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal të premten, duke shtuar se “PDK-ja i garanton votuesve të vetë, si dhe qytetarëve të Lipjanit në përgjithësi, se do të jetë gardiane e interesit qytetarë, zë kritik dhe konstruktiv opozitar, duke përkrahur qeverisjen komunale në projektet kapitale të komunës, si dhe duke e kritikuar për fenomenet të cilat duhet të kritikohen”.

Miratohet propozim-vendimi për ndryshimin e statutit të Komunës

Me 23 vota pro, Kuvendi Komunal i Lipjanit ka miratuar të premten propozim-vendimin për ndryshim të statutit të Komunës, duke kërkuar nga niveli qendror tërheqjen nga zonat kadastrale të disa fshatrave, që menaxhohen nga Komuna e Graçanicës.

Në ndryshimin e statutit të komunës, pro votuan edhe asamblistë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti opozitare në atë komunë.

Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, ka paralajmëruar se statuti i komunës duhet të ndryshohet edhe në të ardhmen sa herë që ndryshojnë ligjet në fuqi.

Ndërkaq, në kuadër të ndryshimit të statutit të Komunës ka pasur ndryshme edhe në drejtoritë komunale të ekzekutivit. Është hequr Drejtoria e Emergjencave dhe është shtuar ajo e Infrastrukturës.

Ahmeti ka sqaruar se ligji për kufijtë administrativ përcakton qartë territorin e Komunës së Lipjanit dhe deri tash në status kanë pasur lokalitete që fare nuk janë në përgjegjësinë e komunës që të administrohen.

“Statusi do të vazhdojë të harmonizohet me çdo ligj tjetër që vjen në fuqi. Ky është obligim i yni. Nëse jemi te lokalitetet apo tek fshatrat është mirë ta shikoni, por ne nuk kemi mundur ta ndërrojmë sepse nuk është përgjegjësi e jona. Shembull neve na figuron fshati Vershevc dhe e dimë të gjithë se ku është, por a din dikush të na tregojë se ku është fshati Lipovicë, aty e kemi në statut, ose a e din dikush prej juve se ku është fshati Shishar ose fshati tjetër Okosnicë, këto janë zona kadastrale, por jo fshatra”, ka thënë Ahmeti. Ai ka sqaruar se ngjashëm ekziston në statut edhe për fshatin apo lagjen “Jeta e Re” ose Topliçani i Ri. “Edhe këtë fshat nuk e kemi fare prapë në statut, megjithatë kemi mjaftë shumë banorë aty. Ose e kemi edhe fshatin Rubovc i Vogël ose Pojatë, nuk e kemi prapë në status dhe dikush prej juve mund të thotë se çfarë është duke ndodhur, por nuk është kompetencë e jona por e nivelit qendror. Ne kemi bërë kërkesa dhe me këtë ndryshim të statutit dhe me statutin e ri që do të bëjmë prapë kërkesa, do të adresojmë kërkesë në nivelin qendror për të legalizuar vendet jo formale siç quhen ‘Jeta e Re’ dhe ‘Pojatë’ dhe për të hequr këto që figurojnë si fshatra e në fakt nuk i kemi fshatra. Këtu ka qenë esenca e harmonizimit të saj”, ka sqaruar Ahmeti.

Ndërkaq, Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve të PDK-së në Lipjan ka thënë se përtej dallimeve politike dhe partiake, përkrahin projektet të cilat janë në të mirë të përgjithshme.

“Ne jemi pro vendimit për votimin e statutit të Komunës. PDK-ja është pozicionuar qartë për qëndrim në opozitë në përputhje me vullnetin qytetar. PDK ju garanton votuesve të vet, si dhe qytetarëve të Lipjanit në përgjithësi, se do të jetë gardiane e interesit qytetar, zë kritik dhe konstruktiv opozitar, duke përkrahur qeverisjen komunale në projektet kapitale të komunës, si dhe duke e kritikuar për fenomenet të cilat duhet të kritikohen. Urojmë që qeverisja e re të jetë më pak ideologjike, politike dhe partiake, e t'ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Jashari.

Ndërkaq, Majlinda Sylejmani kuvendare nga LDK-ja, ka thënë se “Ne si grup i LDK e kemi shqyrtuar propozim ndryshimin për statutin e Komunës së Lipjanit pasi që kjo çështje është e bazuar në ligj dhe Komuna jonë ka nevojë për një harmonizim të tillë sepse ashtu siç e ka cekur drejtori disa fshatra kanë kaluar në kompetencë të Komunës së Graçanicës, andaj ky plotësim-ndryshim i statutit është i nevojshëm dhe si të tillë e përkrahim”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco