Dalin detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Dalin detaje të reja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

12:00, 24/12/2021

Tre persona janë arrestuar ditë më parë për vrasjen e trefishtë që ka ndodhur më 26 nëntor në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Përveç arrestimit, organet e sigurisë dhe drejtësisë nuk kanë dhënë detaje se cili për cilën vepër ishte arrestuar saktë ndërsa në përgjithësi të njëjtit ishin arrestuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti në Komisionin për çështje të sigurisë ka deklaruar se janë duke pritur disa ekspertiza në lidhje me vrasjen në Gllogjan të cilat janë dërguar jashtë vendit.

“Jemi duke punuar, kemi pasur edhe arrestime hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare janë në një hetim të caktuar, ka pasur progres, jemi duke prit disa ekspertiza që janë dërguar jashtë vendit dhe jemi duke pritur rezultate që lidhen me aspektin teknik, kemi kryer një pjesë të punës rreth këtij rasti por mbetet ende shumë për me punu”, tha Mehmeti.

Drejtori i Departamentit të Hetimeve brenda Policisë së Kosovës, Arben Paçarizi tregoi se në rajonet e Kosovës funksionojnë tetë drejtori rajonale të hetimeve.

“Drejtoria e krimeve të rënda në nivel të departamentit merr raste që janë më specifike apo për shkak të ndjeshmërisë së publikut apo mënyra e kryerjes është e karakterit të rëndë”, tha Paçarizi.

Tutje ai shtoi se vrasjet e pazbuluara janë kryesisht të periudhës 2000 deri në vitin 2007.

“Ka edhe një numër tjetër pas pavarësisë por është numër i vogël. Mënyra e organizimit në atë kohë ka qenë më ndryshe por përqindja e zbulueshmërisë së vrasjeve në Kosovë është nivel i pranuar”, tha tutje Paçarizi.

Deri te diskutimi erdhi pasi Kryetari i Komisionit për siguri, Bekë Berisha kërkoi nga drejtori të dinë se pse policia nuk po arrin me zbulu vrasje ndërsa njerëzit e thjeshtë e dinë çka ka ndodh në ato raste.

“Jemi duke ndërtuar një sistem që jemi duke kërkuar përgjegjësi nga hetuesit jo vetëm për vrasje po për të gjitha rastet të cilat hetuesit i kanë në dispozicion të tyre, jemi duke kërkuar përgjegjësi për zbulueshmërinë e këtyre rasteve”, tha drejtori Mehmeti.

Ai shtoi se janë duke punuar në një data bazë e cila do të përcaktoj të gjitha detyrat e hetuesve policor. Në mes të detyrave do të jetë sipas Mehmetit edhe përqindja e nivelit të zbulueshmërisë së rasteve.

“Aktualisht kemi filluar në nivel të stacioneve në nivel rajonal, disa zyrtar policor hetues për shkak të nivelit të ulët të zbulueshmërisë, jemi detyruar që t’i heqim prej detyrave të hetuesit dhe m`i qit në detyra tjera dhe me pru njerëz të tjerë që potencialisht do të tregojnë rezultate”, tha Samedin Mehmeti.

Mehmeti theksoi edhe se nuk do të qëndrojnë hetuesit në vendet e tyre nëse kanë zbulueshmërinë zero.

“Nuk është e mundur me qëndru dikush hetues dhe me pas nivelin zero të zbulueshmërisë ose me bë kallëzime penale të cilat janë me kryerës të njohur. Jemi duke shikuar edhe mënyrën e ndarjes së lëndëve sepse kemi vërejt që potencialisht ka njerëz që u ndahen lëndë me kryerës të njohur që është shumë lehtë me bë statistika, jemi duke punuar që mu bë ndarja ndryshe e lëndëve dhe mu pa saktë sa ka nivel të zbulueshmërisë”, përfundoi Samedini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco