Kurti: Unë jam mirë, qeveritë e kaluara vështirësuan jetën e kosovarëve

Kurti: Unë jam mirë, qeveritë e kaluara vështirësuan jetën e kosovarëve

11:45, 24/12/2021

Ndër shumë akuza tjera kryeministri I Kosovës në Facebook ka hedhur akuza të rënda. Ai fajësoi qeveritë e kaluara për jetën e vështirë të qytetarëve.

“Po përfundon një vit sfidues për të gjithë ne. Pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh. E derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektorë, kujtojmë që për shumë qytetarë të cilët me dekada janë harruar nga politika, jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj edhe nuk harrojmë dot arsyen se përse ne jemi këtu. Nuk harrojmë dot qëllimin e rrugëtimit që kemi filluar nga 14 shkurti për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë”, u shpreh Kurti.

Tutje, ai foli edhe për krizën energjetike që po mbretëron në vend, duke thënë se qeveria e tij do të bëjë “gjithçka mundet e çka di” që të tejkalohet kjo situatë me sa më pak humbje e dëme.

“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike globale, do të bëjmë gjithë çka mundemi e krejt çka dimë të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Më tej, kryeministri foli për skemat pensionale e ato të asistencës sociale, por edhe për situatën ekonomike, shëndetësore, atë të bujqësisë, të arsimit, e të tjera.

“Ndamë 4.500.000€ mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, për pagesën e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë. Për të mundësuar operimet pa pengesa, miratuam kërkesën e KOSTT-it për kthimin e dividendës për këtë vit nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të ketë likuditetin e nevojshëm. Ndamë 3.000.000€ mbështetje për shëndetësinë, për të mbuluar obligimet në kuadër të fondit për trajtim jashtë institucioneve publike”.

“Mbështetje shtesë për arsimin, me 4.110.000€ të ndara për mbulimin e obligimeve për librat në shkollat fillore dhe 86.243€, për pagesën e obligimeve për zhvillimin e mësimit online në kohë pandemie”.

“Për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit, ndamë 2.500.000€, miratuam Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, si dhe Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030. Miratuam dhe proceduam për në Kuvend tetë projektligje”.

“Për mbrojtjen e shëndetit publik, miratuam Strategjinë shtetërore për parandalim, menaxhim dhe kontrollim të pandemisë COVID-19, dhe projekt-rregulloren për Emergjencat dhe Monitorimin Radiologjik. Kursimet janë në shumë prej 19.060.303€ dhe e njëjta vlerë është ndarë për të siguruar pagesën e pensioneve për muajin dhjetor, si dhe shlyerjen e obligimeve financiare të trashëguara nëpër organizata buxhetore të ndryshme”, theksoi mes tjerash Kurti.

Në fund, ai kërkoi që ta “shtyjmë veten përpara duke u bërë shembull për fëmijët tanë”.

“Qeveria që kemi zgjedhur nuk heq dorë nga suksesi. Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar. E ardhmja jonë është e ndritshme e rrugëtimi ynë është i përbashkët”, përfundoi Kurti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco