Kosovarët nuk rreshtin së emigruari edhe në qeverisjen  e Albin Kurtit

Kosovarët nuk rreshtin së emigruari edhe në qeverisjen e Albin Kurtit

14:00, 10/11/2021

Migracioni ka qenë dhe mbetet një nga sfidat më të mëdha më të cilën po përballet çdo qeveri, që nga paslufta në Kosovë. Shumë të rinj po e lëshojnë vendin për një jetë më të mirë në vendet evropiane e në kontinentet tjera, por, ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë ka qenë një entuziazëm që migracioni në vendin tonë do ulet. Se a e ka arritur Albin Kurti këtë qëllim, Syri Kosova sjell më poshtë disa versione të ndryshme, lidhur me këtë çështje

Erdonit HOXHA

Thuajse në çdo kafiteri, e në çdo bisedë, kur flitet për të ardhmen e të rinjve, dalja jashtë Kosovës shihet si alternativa më e mirë e mundshme.

Këto biseda e dëshira, përforcohen akoma më shumë me tendencën e të rinjve për të aplikuar për viza pune në shtetet e ndryshme në Evropë, kryesisht në Gjermani. Në momentin që hapet aplikimi online nga ana e Ambasadës Gjermane, bie ‘sajti’ i kësaj ambasade, për shkak të mijërave përdorues që tentojnë të aplikojnë për vizë të këtij lloji.

Madje, për të arritur një sukses të tillë, janë hapur agjenci e paguhen njerëz të cilët arrijnë ta përfundojnë aplikacionin më herët.

Jo vetëm të rinjtë, Kosovën po tentojnë ta lënë edhe ata që studiuan për vite në universitetin shtetëror, kryesisht mjekët, të cilët në Kosovë paguhen vetëm 630 euro në muaj, kurse, në një shtet perëndimor do paguheshin shumëfish nga rroga bazë e tyre.

Sipas një përgjigje të dhënë për Syri.net Kosova, nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të EUROSTAT-it, kanë migruar 1530 persona, ndërsa, gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2021, kanë migruar 940 persona.

Po ashtu, sipas MPB-së dhe EUROSTAT, nga shtetësia kosovare në vitin 2020 kanë hequr dorë 3633 persona, ndërsa, gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, numri ka shkuar në 4223 persona, që s’duan ta kenë shtetësinë e Kosovës.

Image

Duke qenë se shifrat konsiderohen relativisht të larta, sa ka ndikuar emri i Albin Kurtit si kryeministër që të shpresohet se në vendin tonë do përmirësohen kushtet, do hapen vendet e punës e do vlerësohen kuadrot për punë?

Për Syri.net Kosova, profesori dhe analisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë se kryeministri Kurti nuk ka bërë asgjë në lidhje me këtë drejtim.

“Nuk ka arritur t’i bind qytetarët për këtë pikë, madje, zhgënjimi ndaj Kurtit nga populli do të ketë pasoja, pasi, kryeministri ka pasur vetëm fjalë, e jo vepra, njerëzit i kanë sytë me pa e dallimi mes syve dhe fjalëve është se më shumë u besohet syve se sa veshëve. Ai ka pasur rastin që me nxit entuziazëm te të rinjtë, por, në fakt ai këtë entuziazëm e ka shuar, pasi s’ka bërë asgjë” tha Spahiu.

Po ashtu, profesori ka komentuar edhe numrin e lartë të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës dhe tha se duke qenë se rinia është pasuria më e madhe e një shteti, është shqetësues fakti që ata heqin dorë nga shteti e energjinë e tyre e shterojnë në një vend evropian.

Një i ri kosovar që ka lënë Kosovën e ka shkuar për të jetuar e punuar në Gjermani është Eduard Haliti.

Në një bisedë për Syri.net Kosova, ai u pyet nëse do kthehej të jetonte në Kosovë, duke qenë se Albin Kurti tash e sa muaj është bërë kryeministër, e përgjigja e tij ishte se në vendin tonë akoma ka gjëra për të rregulluar, në mënyrë që të bëhen kushte të volitshme për jetesë.

“Fillimisht është herët, por një gjë ta garantoj që me u kthy nuk kthehet askush, përderisa nuk rregullohen atje sigurimet shëndetësore, pensionet trustet etj. Nëse kishin qenë këto edhe Albini kryeministër, isha kthy menjëherë, pa mendu dy herë. E nëse kish qenë dikush tjetër e prapë kishin qenë sigurimet, unë s’isha kthy” tha Haliti.

Për dallim nga Eduardi, për Albert M. nuk ka lidhje fare që Albin Kurti është kryeministër, që ai të mos e lë Kosovën.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Alberti tha se ka kohë që po tenton të aplikojë për vizë pune për në Gjermani dhe nëse shkon atje, nuk kthehet për të jetuar më në Kosovë.

“Gjithsesi që e kam në plan të dal jashtë Kosovës. Unë nuk pres asgjë nga Albin Kurti, populli i ka besuar gënjeshtrave të tij, tash duhet me jetu kështu, derisa të vij momenti të dal nga vendi, e për t’u kthyer në Kosovë me jetu prapë, nuk besoj hiç që mundet me ndodh kjo gjë” tha ai.

Kujtojmë që viteve të fundit në Kosovë ka pasur shumë valë të migracionit, legalisht apo ilegalisht, e kjo gjë ka ndikuar që të bie edhe numri i punëtorëve në biznese të mëdha apo të vogla dhe duke pasur parasysh kushtet ekonomike, edhe pse punuan në Kosovë, këta emigrantë nuk është se u paguan mjaftueshëm, sa për t’i bindur që të mos e lënë vendin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco