Të gjithë ia mësyjnë Policisë së Kosovës

Të gjithë ia mësyjnë Policisë së Kosovës

14:24, 09/11/2021

Policia e Kosovës për herë të parë ka vënë në përdorim, aplikimin online në konkursin e fundit për zyrtarë policor.

Deri dje, Policia e Kosovës ka pranuar 4 mijë e 146 aplikime nga qytetarët e Kosovës.

Ky proces ka filluar tash e disa ditë ndërsa KALLXO.com ka pranuar disa ankesa nga aplikuesit në lidhje me vështirësitë gjatë aplikimit online.

Policia e Kosovës ka thënë se të gjitha informatat në lidhje me aplikimin online janë publikuar në faqen zyrtare të tyre.

“Procesi i aplikimit është shumë i thjeshtë dhe nuk lejon regjistrim të të dhënave jo logjike në fusha specifike. Gjithashtu, disa të dhëna të aplikimit plotësohen vetvetiu nga sistemi bazuar në numrin personal për të lehtësuar edhe më shumë këtë proces aplikimi”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ata kanë treguar se me çfarë ankesash po përballen me procesin e aplikimit online.

“Ankesat kryesore të pranuara janë mosplotësimi i kritereve të moshës, bashkëngjitja e dokumentacioneve të gabuara, jo valide, fotografi jashtë standardit, dokumente të palexueshme, prezantim të të dhënave të gabuara, probleme me hapje të llogarisë në eKosova”, ka treguar Policia e Kosovës 

Për zgjidhjen e këtyre problemeve të qytetarëve të cilët kanë aplikuar për t`u rreshtuar krah zyrtarëve të tjerë policor të cilët janë aktualisht, Policia e Kosovës ka vënë në dispozicion staf të specializuar.

“Për të adresuar ankesat e cekura më lartë Policia e Kosovës ka vënë në dispozicion numra kontaktues dhe staf të specializuar, të cilët janë në dispozicion për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha shqetësimet e adresuara nga të interesuarit në lidhje me konkursin në fjalë. Gjithashtu është krijuar mundësia e ri-aplikimit të kandidatëve të cilët kanë ngritur shqetësimet(rastet e aplikimeve me gabime dhe bashkëngjitja e dokumentacionit të gabuar)  rreth procesit të aplikimit në platformën online”, thuhet në përgjigjet e PK-së për KALLXO.com.

Tutje sipas tyre, Policia e Kosovës është në fazën e evidentimit të gabimeve që kanë bërë aplikantët gjatë bashkangjitjes së dokumenteve apo prezantimit të të dhënave gjatë aplikimit dhe të njëjtit do të kontaktohen në afatin sa më të shkurt në mënyrë që të bëjnë ri-aplikimin dhe korrigjimin e këtyre gabimeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco