Historia e Farukut, u kthye nga Gjermania dhe mban familjen 7 anëtareshe në Kosovë

Historia e Farukut, u kthye nga Gjermania dhe mban familjen 7 anëtareshe në Kosovë

11:19, 17/06/2021

Është pasdite në Mitrovicë dhe orari i zakonshëm i punës është pothuajse në përfundim për shumë qytetarë.

Mirëpo, në punëtorinë e Faruk Hotit, puna po zhvillohet me intensitet të shtuar. Një veturë e cila është në pritje për tu riparuar nga disa dëmtime dhe një ngjyrë që Faruku po e përgatit me shumë kujdes e vëmendje.

“Është diçka që të jep shumë kënaqësi në punën që ne bëjmë. Kur diçka riparohet të jep ndjenjën që ke rregulluar diçka, e ke kthyer në gjendjen e mëparshme me duart e tua”, thotë Faruku.

Tërë pozitivitet dhe dëshirë për punë, ai tash e disa muaj ka hapur punëtorinë e tij dhe bashkë me vëllain punojnë me shumë zell. Është pikërisht vëllai i tij i cili ia ka ngjallur dëshirën për tu marrë më profesionin e riparimit dhe ngjyrosjes së veturave, profesionin i kultivuar për rreth një dekadë në familjen e tij.

Në vitin 2020, Faruku është mbështetur nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit për qytetarët e riatdhesuar, mundësuar nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, nëpërmjet Projektit për Programet Aktive të Tregut të Punës 2 (ALM2). 

Faruku, kishte migruar në Gjermani në vitin 2013 ku kishte qëndruar dy vite. Pas riatdhesimit në Kosovë, ai kishte vendosur përfundimisht të ri integrohet, në jetën në Kosovë dhe mbi të gjitha në tregun e punës. Ai tani punon me shumë përkushtim dhe si i vetmi i punësuar në familje, mbështet shtatë anëtarët e familjes së tij me punën që bënë.

Nëpërmjet komponentës së Vetëpunësimit, APRK dhe UNDP në vazhdimësi po rrisin përkrahjen për punëkërkuesit, duke mbështetur themelimin e bizneseve të qëndrueshme, të afta për ti mbijetuar tregut konkurrues të punës në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco