8-vjeçari i luftës angazhon avokat për t’u përballur me prokurorët e Speciales, më 23 qershor shkon në Hagë

8-vjeçari i luftës angazhon avokat për t’u përballur me prokurorët e Speciales, më 23 qershor shkon në Hagë

18:19, 10/06/2021

Fahri Fazliu i cili kishte qenë vetëm 8-vjeç gjatë luftës në Kosovë, pritet të paraqitet në Hagë më 23 qershor të këtij viti.

Fazliu, i cili tash është 29-vjeçar u ftua në fillim të këtij muaji nga Gjykata Speciale për tu paraqitur në cilësinë e dëshmitarit në Hagë.

Në një prononcim për lajmi.net, Fazliu ka thënë se tashmë ka angazhuar edhe një avokat nga i cili do të shoqërohet për të dhënë dëshminë.

“Po e kam angazhuar, është Artan Qerkini”, ka thënë shkurt Fazliu.

Ai ka thënë se për çdo të re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, do të njoftojë opinionin përmes rrjetit social Facebook.

Në një intervistë për lajmi.net të realizuar më 2 qershor, Fazliu kishte thënë se në fillim ka menduar se Specialja e ka ngatërruar me xhaxhanë e tij dëshmor.

“Familja ime i ka dhënë dy heronj këtij vendi. Është Fahri Fazliu me Afrim Zhitinë që janë vra në vitin 1989 dhe tjetri është Bahri Fazliu, që është vra në kufi. Janë dy axhallarët e mi, që unë trashëgoj emrin e njërit prej tyre, Fahri Fazliut. Ne si familje gjithmonë kemi qenë në sy nga pushtuesi sepse jemi marrë për të mirën dhe lirinë e këtij vendi. Fahri Fazliu është dëshmor dhe aty në ftesë është data e lindjes time, 22.03.1991. Nuk besoj se është ngatërresë, por tash mbetet të shohim”, kishte deklaruar Fazliu.

Kujtojmë se Gjykata Speciale ka ftuar edhe më herët dëshmitarë të cilët gjatë kohës së luftës kanë qenë fëmijë, pasi që në fund të vitit 2019 kishin ftuar zyrtarin e Ministrisë së Drejtësisë, Rilind Berishën, i cili kishte qenë gjithashtu 8-vjeçar gjatë luftës në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco