Qeveria i kërkon presidentes autorizim për marrëveshje kredie për Covid

Qeveria i kërkon presidentes autorizim për marrëveshje kredie për Covid

14:21, 21/05/2021

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që t’i kërkohet presidentes së Kosovës ta autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Amandamentimit nr. 1 të Marrëveshjes Kornizë të Kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Kosovës të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se bëhet fjalë për kredinë e cila në tërësi është 35 milionë euro nga Banka Zhvillimore, mjete të cilat po shpenzohen për menaxhimin e pandemisë. Ndërsa, ka shtuar se me marrëveshjen e Amendamentit nr. 1 këtij projekti i shtohet një shumë tjetër prej 25 milionë euro.

“Ka të bëjë me autorizimin për nënshkrimin e Amandamentit nr. 1 të Marrëveshjes kornizë të kredisë me Bankën Zhvillomore për financimin e projektit ‘Reagimi Emergjent ndaj COVID-19’. E tërë kredia bazë në vlerë prej 35 milionë euro nga Banka Zhvillimore është disbursuar në fillim të majit kaluar dhe mjetet financiare po përdoren për menaxhim të pandemisë. Ndërsa, marrëveshja e Amandamentimit nr. 1 i shton këtij projekti edhe një shumë prej 25 milionë euro. Për këtë marrëveshje amandamentimi vlejnë të njëjta kushte të kredisë, afati i kthimit është 15 vjet ndërsa norma e interesimit caktohet gjatë kërkesës për disbursim të mjeteve dhe mund të jetë fiks apo variabil”, ka thënë Murati.

Murati ka shtuar se ky projekt mundëson “mbulimin e shpenzimeve për vaksina kundër virusit, pajisjet dhe materialet shpenzuese për trajtimin e virusit dhe mbështetje buxhetore përmes financimit retroaktiv të shtesave mbi pagat e sektorit publik shëndetësor”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco