Turi europian i Bashës si rikthim tek normaliteti në marrëdhëniet BE-Shqipëri

Turi europian i Bashës si rikthim tek normaliteti në marrëdhëniet BE-Shqipëri

20:13, 18/02/2021 Nga Vehap Kola

Zgjedhja që bënë dy kryeministra të Bashkimit Europian për të diskutuar me Lulzim Bashën perspektivën e projektit europian të Shqipërisë dhe bashkëpunimin dypalësh në disa plane ka shkaktuar një pezulli jo të vogël në Tiranë. Në mesin e pandemisë, kur shumica e takimeve ndërmjet vetë udhëheqësve europiane e botërore zhvillohen online, pritja e Bashës në zyrat kryeministrore të Sllovenisë duket se ka qëllim simbolik. A ishte ky një sinjal i projektuar nga drejtuesit e BE-së që Edi Rama ka kaluar çdo cak me euroskepticizmin e tij? Apo ishte një shpallje e butë dhe graduale e partneritetit të ri që Europa kërkon në Tiranë?

Nëse kancelaritë udhëheqëse të BE-së e kanë programuar këtë tur të Bashës si përgjigje ndaj përgojimit dhe përtalljes së unionit nga Edi Rama, kjo do të mjaftonte për të vërtetuar se karshillëku i kryeministrit shqiptar nuk ka mbetur pa shpagim. Megjithatë, fakti që janë pikërisht dy kryeministra ballkanikë që presin Bashën dhe diskutojnë të ardhmen me të, të krijon përshtypjen se projekti është gradual. Nëse është kështu, në javët e ardhshme mund të priten zhvillime të tjera më të forta dhe më të drejtpërdrejta.

Kështu vijmë tek mundësia e dytë, që vendimi nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me euroskepticizmin dhe ahengun anti-europian që kurdis Rama thuajse përditë në Facebook, por me një objektiv tjetër të vendeve udhëheqëse të BE-së, atë të rrotacionit në Tiranë. Madje, thumbat e romuzet e Ramës mund të kenë ardhur si pasojë e ekzistencës së një plani të tillë në Berlin, bie fjala, apo edhe në Paris. I informuar për këtë ndryshim të madh kursi nga perëndimorët, Rama ka nisur përpjekjet për të kapitalizuar vota nga njerëz që gjejnë gjithfarë argumentash për të nxjerrë integrimin në BE si opsionin më të keq për të ardhmen e Shqipërisë.

Arsyet pse Europa ka zgjedhur Bashën nuk duhet të lidhen doemos me faktin që ai është lider i opozitës dhe kandidati më potencial për të rrëzuar Ramën. Tipologjia politike që përfaqëson Basha është një tipologji që Perëndimi e njeh dhe e preferon. Kostumi aventurier i Ramës rezultoi një eksperiment i dështuar. Natyrisht Brukseli nuk mund të ngutej për ta bërë realitet këtë projekt jashtë një procesi demokratik normal, sidomos në kulmin e pandemisë, por as nuk mund të humbte mundësinë që ofrojnë zgjedhjet parlamentare për të shpëtuar prej një ekscentrizmi në zyrën e qeverisë së Shqipërisë.

Për Perëndimin, Rama ka shkaktuar jo pak kokeçarje. Ai u përfshi në një projekt shumë të dyshimtë që mund të sillte destabilitet në Ballkan. Aksionet e tij në idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë të njohura botërisht dhe kundërvënia e Berlinit ndaj kësaj ideje ka qenë vendimtare për ta penguar. Me Bashën, BE siguron një partner të qëndrueshëm në Tiranë dhe një folës të provuar të gjuhës së diplomacisë dhe politikës europiane në Ballkan. E thënë më drejtpërdrejt, Basha është kryeministri Made in Europe dhe jo ai emigranti që mëson gjuhën e vendit por refuzon kulturën. 

Nuk mund të mohohet se në raportet bilaterale, secili prej vendeve të Bashkimit Europian vendos interesat e veta ekonomike. Në këtë drejtim, largimi i kapitalit perëndimor dhe zëvendësimi i tij me kapital kinez dhe rus, apo dominimi i oligarkisë lokale bie ndesh me interesat ekonomike të BE-së. Largimi i investitorëve gjermanë nga sektorët strategjikë si transporti ajror ndërkombëtar, telekomunikacioni, transporti detar duket se nuk ka kaluar në heshtje në Berlin. Nga ana tjetër, Basha është angazhuar të zbatojë politika fiskale dhe reforma strukturore liberalizuese që përmirësojnë klimën e investimeve dhe e bëjnë Shqipërinë një vend tërheqës për to.

Por më shumë se sa thjesht klima jomiqësore për investimet gjermane në Shqipëri, Brukselin duket se e shqetëson vendosmëria e Ramës për të vënë pushtetin të parin. Maqedonia e Gruevskit është një shembull tipik për këtë. Investimet gjermane dhe europiane në Maqedoni nuk kanë qenë të pakta. Vendi ishte ekonomikisht konkurrues, me taksa të ulëta dhe ekonomi të derregulluar. Mijëra vende pune hapeshin çdo vit nga zbatimi i projekteve të investitorëve perëndimorë. Megjithatë, damari autokratik i regjimit të Gruevskit u bë i patolerueshëm për unionin dhe partnerët perëndimorë në tërësi. Prandaj, për ta larguar pa dhunë kryeministrin autoritarist u mobilizua i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Shkelja e marrëveshjes së 14 janarit dhe dakordësisë së 5 qershorit 2020 për Kodin Zgjedhor, ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës, kalimi jokonsensual i reformës zgjedhore në parlament dhe rezistenca e tij ndaj rekomandimeve për të mos përfshirë elementë kriminalë në listat e kandidatëve nuk janë të vetmet mëkate në këtë drejtim. Kërkesat e vazhdueshme të zyrtarëve gjermanë për të dënuar krimin zgjedhor janë refuzuar nga Rama. Pra, Europa që shpeshherë duket se lëshon pe, prapëseprapë kthehet tek kuadri i saj i vlerave të demokracisë liberale.

Ndërkaq, askush nuk do dhimbje koke shtesë në vendin e tij. Prej 8 vitesh, Rilindja është bërë një dert më shumë për kancelaritë europiane me 500 mijë emigrantët shqiptarë, mijëra azilkërkuesit, krimin dhe trafiqet. Madje, Holanda është detyruar të kërkojë edhe rikthimin e regjimit të vizave. Flukset migratore dhe eksporti i ekonomisë kriminale drejt BE-së janë shndërruar edhe në bukë për dhëmbët e lëvizjeve populiste euroskeptike në të gjitha vendet e unionit.

Angazhimi i kryeministrit Janez Janša ndaj Bashës për të nisur bisedimet e anëtarësimit në BE gjatë presidencës sllovene dhe diskutimet me të dy kryeministrat për bashkëpunimin në fushën e shkëmbimeve ekonomike duket se lidhet me bindjen e qeverive perëndimore se integrimi është pasojë e mirëqeverisjes, jo shkaktar i saj. Me kryeministrin slloven, Basha diskutoi lehtësirat për investimet e huaja që parashikon programi i PD-së, ndërsa me kryeministrin kroat diskutuan bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Takimet e kryeministrave sllovenë e kroatë ishin lëvizje në kërkim të partnerëve të besueshëm në Tiranë. Tek Basha ata gjejnë një partner me të cilin kanë bashkëpunuar dhe kanë mbyllur me sukses disa projekte në të shkuarën. Në fund të fundit, një normalitet tradicional preferohet nga çdokush më shumë se një premtim i shkelur.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco