Dhimbja e kokës nga alkooli, e njohur ndryshe si ‘shqetësimi i mëngjesit’ pas një nate me shumë pije, është një përvojë e zakonshme për shumë njerëz. Ky grup simptomash shfaqet kur niveli i alkoolit në gjak bie në zero, zakonisht disa orë pas konsumimit të tepërt, dhe mund të zgjasë nga 6 deri në 24 orë.
Sipas Grupit Ndërkombëtar Kërkimor për Hangover-in, simptomat ndahen në tre kategori kryesore:
-Simptomat fizike: dhimbje koke, të përziera, të vjella, lodhje, gojë e thatë, dridhje, rrahje të shpejta zemre dhe probleme me gjumin.
-Simptomat psikologjike dhe njohëse: ankth (“hangixiety”), nervozizëm, humor i ulët, vështirësi në përqendrim dhe kujtesë, ngadalësim i funksioneve njohëse.
-Simptomat fiziologjike: inflamacion sistemik, stres oksidativ, çekuilibër elektrolitesh, hipoglicemi, çrregullime në ritmin cirkadian dhe në neurotransmetues.
Secili ka kufijtë e vet ndaj alkoolit, por një dehje mund të ndodhë edhe me konsum të moderuar, pasi sasia minimale që shkakton simptoma ndryshon nga personi në person. Shpejtësia e konsumimit ndikon gjithashtu, sa më shpejt të pihet, aq më i lartë është niveli i alkoolit në gjak dhe rreziku për dehje.
Faktorë të tjerë që ndikojnë janë biologjia personale: gjinia (p.sh., gratë metabolizojnë alkoolin më ngadalë se burrat), pesha, gjendja shëndetësore, gjenetika dhe mosha. Të rinjtë janë më të prirur për dehje sesa të moshuarit, pasi zakonisht pinë më shumë dhe më shpejt në raste feste.
Gjendja fizike para konsumit gjithashtu ndikon: pirja e alkoolit me stomak bosh, pa hidratuar mjaftueshëm dhe mungesa e gjumit e përkeqësojnë simptomat.
Shumë prej metodave të njohura për të lehtësuar simptomat, si hidrimi me ujë ose lëngje, mbështetja e mëlçisë me përbërës natyralë, zvogëlimi i inflamacionit me antioksidantë apo ibuprofen, rritja e dopaminës me kafe ose çokollatë, dhe rivendosja e elektroliteve me pije sportive, nuk janë mbështetur nga prova shkencore të forta.
Një rishikim i vitit 2020 mbi trajtimet e ndryshme arriti në përfundimin se nuk ka ndërhyrje me efekt të provuar, dhe cilësia e studimeve ekzistuese është shumë e ulët. Studime të mëparshme kanë dhënë të njëjtin rezultat.
Mënyra më efektive për të shmangur shqetësimet e dehjes mbetet të pini me masë, ngadalë dhe të qëndroni të hidratuar gjatë gjithë kohës.
© SYRI.net