Tinder teston filtër të ri për gjatësinë, shkakton debat në rrjet

Tinder teston filtër të ri për gjatësinë, shkakton debat në rrjet

22:26, 07/06/2025

Aplikacioni i njohur për takime, Tinder, ka nisur testimin e një funksioni të ri që lejon përdoruesit të filtrojnë partnerët e mundshëm sipas lartësisë. Ky opsion është aktualisht i disponueshëm vetëm për përdoruesit me abonim Gold ose Premium dhe po ngjall reagime të përziera në rrjetet sociale.

Lajmi është konfirmuar nga vetë kompania për mediat teknologjike, duke theksuar se bëhet fjalë për një test global. Përdoruesit me abonime të zakonshme nuk do të kenë akses në këtë funksion, duke e kufizuar përdorimin e tij tek një grup më i ngushtë. Filtër i ri nuk bllokon automatikisht profilet që nuk përputhen me kriterin e lartësisë, por ndikon në mënyrën si sugjerimet shfaqen brenda aplikacionit, duke u radhitur sipas preferencave të vendosura.

Ndërkohë që shumë platforma për takime ofrojnë mundësi për të përcaktuar preferenca si mosha, vendndodhja apo qëllimet për lidhje, shtimi i lartësisë si filtër ka ngritur shqetësime. Kritikët e konsiderojnë këtë opsion si përforcim të standardeve sipërfaqësore dhe diskriminuese në botën e takimeve online.

Nga ana tjetër, ka edhe përdorues që e mbështesin funksionin, duke argumentuar se preferencat fizike janë pjesë e rëndësishme dhe e ligjshme e përzgjedhjes së një partneri në epokën digjitale. Sipas tyre, transparenca për detaje si lartësia mund të ndihmojë në përputhje më të mirë dhe më të sinqertë.

Tinder ende nuk ka dhënë një afat zyrtar për përhapjen e këtij funksioni te të gjithë përdoruesit. Megjithatë, debati që ka shpërthyer tregon se balanca mes teknologjisë, etikës dhe preferencave personale në takime mbetet një temë e nxehtë në botën digjitale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco