Me afrimin e verës, dëshira për të zbuluar vende të reja për pushime buzë detit po rritet ndjeshëm, por këtë vit vëmendja ka kaluar përtej bukurisë tradicionale dhe ka shkuar drejt natyrës së paprekur. Sipas renditjes vjetore të “50 Plazhet më të Mira të Botës” për vitin 2025, dy plazhe evropiane u renditën ndër 10 më të mirat globale, duke u vlerësuar për peizazhin e tyre unik dhe përkushtimin ndaj ruajtjes së mjedisit.
Në krye të listës globale është Cala Goloritzé, një mrekulli natyrore në Sardenjë të Italisë. I njohur për majën dramatike prej guri gëlqeror dhe ujin kristal të qetë, ky plazh ofron një përvojë autentike larg turmave. I shpallur monument natyror, Cala Goloritzé është i arritshëm vetëm në këmbë ose me not, pas ndalimit të anijeve pranë bregut, çka e bën atë një model të ruajtjes së bukurisë natyrore.
Në vendin e katërt botëror u rendit Plazhi Fteri në ishullin grek të Kefalonisë. I fshehur në një gji të qetë dhe i arritshëm vetëm me varkë ose në këmbë, ky plazh ofron një atmosferë të paprekur që tërheq adhuruesit e natyrës. Me shkëmbinj të bardhë, guralecë të pastër dhe ujëra të bruztë, Fteri konsiderohet një strehë për ata që kërkojnë qetësi dhe lidhje të thellë me natyrën.
Renditja për vitin 2025 u realizua përmes një procesi të kujdesshëm që përfshiu mijëra profesionistë të udhëtimit dhe një ekip të posaçëm “Ambasadorësh të Plazhit”. Përzgjedhja nuk u mbështet vetëm te pamja, por edhe te elementi natyror, tingujt, qetësia, izolimi dhe përpjekjet për mbrojtje mjedisore.
Greqia dhe Spanja vazhdojnë të mbeten ndër vendet më të vlerësuara për destinacionet bregdetare. Voutoumi në Antipaxos dhe Playa de Rodas në Ishujt Cíes, të renditura në vendet 16 dhe 18 respektivisht, janë dëshmi se Europa ofron disa nga përvojat më të bukura dhe të ruajtura për pushime pranë detit.
© SYRI.net