Një shfaqje e rrallë qiellore pritet të ndodhë në mëngjesin e së premtes, më 25 prill. Bëhet fjalë për një rreshtim të pazakontë të planetëve, i cili nga Toka do të duket si një ‘fytyrë e buzëqeshur’. Ky fenomen do të jetë i dukshëm në horizontin lindor, pak para lindjes së diellit, rreth orës 05:00 deri në 05:30 të mëngjesit me orën lokale.
Pamja do të përbëhet nga tri trupa qiellorë kryesorë: gjysmëhëna e hollë, e cila përfaqëson ‘buzën’, planeti Venus që do të duket si ‘syri’ i djathtë dhe Saturni si ‘syri’ i majtë. Për ta parë këtë formë si një fytyrë të buzëqeshur, këshillohet që vëzhguesit të anojnë kokën në të djathtë, pasi fytyra është e pjerrët.
Fenomeni mund të shihet në të gjithë hemisferën veriore, përfshirë Europën, Amerikën e Veriut, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar, nëse moti është i kthjellët dhe pa re. Venusi dhe Hëna do të jenë të lehta për t’u dalluar me sy të lirë, për shkak të ndriçimit të tyre të fortë, ndërsa Saturni do të jetë më i vështirë për t’u parë për shkak të shkëlqimit më të zbehtë dhe afërsisë me dritën e lindjes së diellit.
Ky rreshtim i veçantë ndodh për shkak të një lidhjeje të përkohshme mes Hënës dhe dy planetëve. Megjithëse planetët shfaqen pranë njëri-tjetrit në qiell shpesh, forma e këtij fenomeni është ajo që e bën vërtet unike dhe të paharrueshme pamjen që ofron. Astronomët dhe entuziastët e qiellit kanë sugjeruar që ky moment të mos humbet, pasi ndodh rrallë dhe ofron një mënyrë të bukur për të nisur ditën me diçka magjepsëse. Syri.net-iefimerida
© SYRI.net