Më shumë se 5000 punonjës britanikë po shijojnë një javë pune katërditore, ndërsa qindra kompani e miratojnë si normë të përhershme
Një numër në rritje i bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar po kalojnë në një javë pune katërditore pa ulje page për punonjësit e tyre. Sipas të dhënave më të fundit nga Fondacioni 4 Day Week, tashmë 200 kompani kanë bërë këtë ndryshim, duke përfshirë sektorë të ndryshëm si inxhinieria, rekrutimi, argëtimi dhe ndërtimi.
Studimet tregojnë se puna një ditë më pak në javë ka përfitime të mëdha për shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve. Në një pilot të zhvilluar në vitin 2022, me 61 kompani që kaluan në javën katërditore, rezultatet ishin të jashtëzakonshme:
• Ulje e nivelit të ankthit dhe lodhjes
• Përmirësim i ekuilibrit punë-jetë
• 65% më pak ditë të marra si pushim mjekësor
• 92% e bizneseve vendosën të vazhdojnë këtë model pune pas pilotimit
Por përfitimet nuk ndalen këtu. Studimet sugjerojnë se një javë më e shkurtër pune mund të ketë edhe ndikime pozitive në mjedis. Sipas Fondacionit 4 Day Week, reduktimi i orarit të punës mund të ulë gjurmën e karbonit në MB me 127 milionë ton në vit – ekuivalente me largimin e 27 milionë makinave nga rrugët.
Sipas kërkimeve të Henley Business School, zvogëlimi i orëve të punës mund të reduktojë ndjeshëm udhëtimet dhe konsumimin e energjisë. Me më pak ditë në vendin e punës, bizneset shpenzojnë më pak energji për pajisje dhe ndërtesa, ndërsa punonjësit kanë më shumë kohë për aktivitete që përmirësojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor.
Ekspertët theksojnë se ndikimi klimatik i një jave pune katërditore varet edhe nga mënyra se si individët e përdorin kohën e lirë. Nëse punonjësit zgjedhin të kalojnë fundjavën e gjatë në mënyra më të qëndrueshme, si ecja, çiklizmi apo vullnetarizmi, atëherë ky ndryshim mund të sjellë përfitime të mëdha për shoqërinë dhe mjedisin.
Me më shumë se 1000 punonjës që po testojnë aktualisht këtë model dhe tre pilotë të rinj të planifikuar për vitin 2025, java katërditore po bëhet një realitet i ri për një numër në rritje të bizneseve dhe punonjësve. Ekspertët besojnë se ky mund të jetë një nga ndryshimet më të rëndësishme për të ardhmen e punës dhe klimës.
“Një nga mënyrat më të lehta dhe më të njohura për të trajtuar ndryshimet klimatike është thjesht duke punuar më pak,” thotë Joe Ryle, drejtor i Fondacionit 4 Day Week. “Ky model nuk është vetëm i mirë për mirëqenien e punëtorëve, por edhe për mirëqenien e planetit.”/ Përshtatur ga Euronews për Syri.Net
© SYRI.net