A duhet që dy njerëz me OCD të lidhen bashkë?

A duhet që dy njerëz me OCD të lidhen bashkë?

16:00, 08/03/2023

A është e mundur që një lidhje mes dy njerëzve me OCD të funksionojë? Për ta sqaruar që në fillim, nuk ka një PO ose një JO zyrtare. Askush s'mund të japë një përgjigje të prerë për këtë, por sigurisht mund të renditen avantazhet dhe disavantazhet e këtij kombinimi. 

Avantazhet

Ju mund ta kuptoni njëri-tjetrin dhe të jeni më empatikë kur partneri përjeton disa gjëra sepse e kuptoni nga i vjen nevoja për të vepruar në një mënyrë të caktuar ose jo. Një partner që nuk vuan vetë nga OCD nuk do t'i kuptonte mendimet e tmerrshme, konfuzuese dhe mbytëse që ndihen kaq reale. 

Gjithashtu, një partner që lufton me OSD do ta vlerësonte pse nevoja për të vepruar në një mënyrë urgjente është aq e fortë. Nëse dy që janë të lidhur, kanë OCD dhe përpiqen ta kontrollojnë, mund ta mbështesin edhe më shumë njëri-tjetrin.

Disavantazhet

Një nga të këqija e këtij kombinimi është se çifti me OCD mund të përfundojë duke "i bërë dëm" njëri-tjetrit. Fiksimet e secilit mund të kthehen në problem për të dy në një moment të caktuar për bashkëjetesën. 

Ç'duhet të dini në përgjithësi për OCD?

Obsessive – të paturit e një mendimi/ndjenje të vazhdueshme dhe pa shkëputje 

Compulsive – të paturit e një mendimi/ndjenje që duket e pafrenueshme, e papërmbajtshme 

Disorder – Çrregullim 

OCD është një çrregullim gjerësisht heterogjen që përbëhet nga një sërë simptomash, prandaj vazhdon të jetë e vështirë studimi dhe diagnoza objektive, pra ajo e mbështetur në skanera të trurit apo teste laboratori, dhe jo ajo gjysmë objektivja nga doktorët me listën e tyre. 

Megjithatë kërkuesit kanë gjetur 5 dimensione kryesore: 

1. Të ndjerit përgjegjës kur dikush lëndohet; mendimi se është faji juaj apo ju mund ta kishit parandaluar;

2. Të qenurit i/e fiksuar pas simetrisë, rregullit dhe ritualeve në lidhje me numrat;

3. Të qenurit i/e fiksuar pas pastërtisë, larjes dhe ritualeve të pastrimit;

4. Të ndjerit neveri për mendimet tuaja në lidhje me dhunën, seksin dhe fenë;

5. Të mbledhurit e shumë ‘rraqeve’, për t'i patur ose për t'i bërë koleksion.

Është tepër e vështirë për te jetuar me këto 'fiksimet’ e mësipërme. Për t'u diagnostikuar me OCD nuk mjafton të keni një apo dy nga ato dhe ti përjetoni ndonjëherë. Në vetvete ky çrregullim të ndryshon jetesën plotësisht, të merr kohë ku fiksimet mund të zgjasin 11 orë rresht dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme.  

Cilat janë shkaqet?

1. Gjenetike 

Studimet tregojnë që faktorët gjenetikë janë përgjegjës për 27 deri në 47% të rasteve. Pra, nëse dikush në familje ka OCD, ka shanse që ta kalojë te gjeneratat e ardhshme. 

2. Mjedisore 

Pjesa e mbetur, 53 deri ne 73% e rasteve besohet të shkaktohet nga mjedisi. Këto përfshijnë ndryshime të mëdha dhe stresuese në përditshmëri. Mendohet që OCD është progresive në çastin që shfaqet, pra rritet gradualisht me kohën. Prandaj është e rëndësishme të trajtohet sa më shpejt të jetë e mundur kur çrregullimi është më i vogël. Lajmi i mirë është që vetëm 2-3% e njerëzve me OCD e kanë OCD përjetë. Pjesa tjetër mendohet se zbutet me kohën deri në zhdukje. 

Trajtimet

1. Ilaçet (terapia farmakologjike) 

Mendohet që seratonina, një neurotransmitor njohur dhe si 5-HT, ndikon në OCD. Por njëkohësisht seratonina është e përfshirë në një sërë çrregullimesh të tjera psikologjike dhe ndikon në disa struktura në tru. Megjithëse lidhja midis seratoninës dhe OCD vazhdon të jetë hipotetike, ilaçet në treg sulmojnë pikërisht këtë sistem. Fatkeqësisht ndihmojnë vetëm 1/3 e njerëzve me OCD, tregues tjetër ky që seratonina s’funksionon vetëm. 

Ka patur sugjerime për neurotransmitorë të tjerë si për shembull glutamina dhe dopamina. Për momentin ilaçet që targetojnë këto neurotransmitorë dhe sistemet e tyre janë më pak të preferuara nga doktorët dhe pacientët.

2. Terapia psikologjike 

I vetmi trajtim psikologjik që ka patur mbështetje empirike (me prova, jo vetëm teori) është terapia tip CBT me dy kahe: ekspozimin dhe parandalimin e reagimit. 

Ekspozimi: kur personi ekspozohet në mënyrë të vazhdueshme për një kohë të gjatë me një stimul që i shkakton ankth apo shtysën për të kryer ritualet fiksuese. 

Parandalimi i reagimit: kur personi ndalon veten nga të kryerit e fiksimeve të tij. 

Qëllimi i kësaj terapie është t’i bëjë me dije personat me OCD që fiksimet apo ankthi i tyre nuk vazhdon përgjithmonë dhe shmangia e vetëdijshme që përpiqen ti bëjnë fiksimeve të tyre cdo ditë, nuk është e nevojshme. 

Të vëna përballë, duket se CBT është më efikase se ilacet kur jepen veç e veç. Nëse jepen bashkë, rritet efekti që kanë për të ulur simptomat.

Burimi: Psychology Today

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco