Pas një dasme madhështore tre-ditore në Venecia, Lauren Sanchez, e fejuara e themeluesit të Amazon-it, Jeff Bezos, është përballur me një incident të pazakontë: një nga fustanet e saj të martesës është zhdukur dhe dyshohet se është vjedhur.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, një nga fustanet që Lauren kishte përzgjedhur për ceremoninë është zhdukur pa lënë gjurmë. Ajo, 55 vjeçe, kishte në dispozicion plot 27 fustane për ditën e saj të madhe, por ende nuk është konfirmuar se cilit dizajner i përkiste fustani i humbur.
Dyshimet bien mbi një grua të panjohur, e cila sipas dëshmive ka arritur të hyjë në ambientet e dasmës duke shmangur rojet e sigurisë. Ajo ishte e veshur me elegancë, nuk kishte ftesë për të marrë pjesë dhe u shoqërua jashtë me mirësjellje, por pa u identifikuar. Besohet se mund të ketë marrë me vete fustanin që tani konsiderohet i humbur.
Ky nuk ishte i vetmi incident gjatë dasmës. Gjatë ceremonisë, një tjetër fustan i Lauren – një krijim i Dolce & Gabbana – raportohet se ka marrë flakë. Për fat të mirë, nuk bëhej fjalë për fustanin që ajo kishte veshur gjatë shkëmbimit të betimeve me Bezos.
Në ditën e dasmës, Lauren u shfaq me një fustan të bardhë nga Dolce & Gabbana, të cilin e prezantoi edhe në Instagram, pranë Jeff Bezos, duke treguar elegancën e fustanit në të gjithë shkëlqimin e tij.
Përveç ceremonisë, Sanchez kishte realizuar edhe një set fotografik për revistën Vogue, ku pozoi me të njëjtin fustan dhe rrëfeu emocionet e provës në Milano, duke u shprehur se ishte ndjerë si një “princeshë”.
Për momentin, përfaqësuesit e Sanchez nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar lidhur me raportimet për vjedhjen apo incidentin me fustanin e djegur.
Ceremonia luksoze në ishullin San Giorgio Maggiore u ndoq nga një listë të ftuarish të nivelit të lartë, përfshirë emra të njohur të botës së artit, biznesit dhe argëtimit.
© SYRI.net