Gjyqi i bujshëm ndaj manjatit të muzikës dhe ikonës së hip-hopit, Sean “Diddy” Combs, ka përfunduar me një vendim të ndarë të jurisë: reperi është shpallur fajtor për dy akuza për transportim për prostitucion, ndërsa është liruar nga tre akuza të tjera, përfshirë atë më të rëndën për konspiracion me shantazh.
Vendimi erdhi më shumë se nëntë muaj pas arrestimit të tij dhe pas një procesi gjyqësor të ndjekur gjerësisht, ku dëshmitarët përshkruan në detaje “netë hoteli të çmendura”, ku Combs rekrutonte eskortë meshkuj për të kryer akte seksuale me partneret e tij, ndërsa ai shikonte dhe filmonte.
Ai u shpall fajtor për transportimin e këngëtares Cassie Ventura dhe një gruaje tjetër të njohur si “Jane”, ndërsa mbetet i pafajshëm për akuzën e drejtimit të një sipërmarrjeje kriminale për trafik seksual dhe shantazh sipas ligjit të ashpër federal RICO, një dispozitë që është përdorur më herët kundër mafias dhe së fundmi në rastin penal kundër Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Avokatët e Combs, të udhëhequr nga Marc Agnifilo, e përshkruan lirimin nga akuza për shantazh si një fitore të madhe, duke theksuar se prokuroria nuk provoi që punonjësit e Combs ishin bashkëpunëtorë të vetëdijshëm në veprimet e tij.
Për secilën nga dy akuzat për të cilat u shpall fajtor, Combs përballet me deri në 10 vite burg. Prokurorja Maurene Comey ka deklaruar se do të kërkojë 20 vite gjithsej, duke e konsideruar artistin si një “rrezik për shoqërinë”. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Qendrën Metropolitan të Nju Jorkut që nga shtatori i vitit të kaluar, me një kërkesë për lirim me kusht prej 1 milion dollarësh që është refuzuar.
Problemet ligjore të Combs nuk mbarojnë me këtë vendim. Ai përballet me më shumë se 100 padi civile për përdhunim, sulm seksual dhe dhunë, duke përfshirë pretendime nga persona që thonë se ishin të mitur në momentin e ngjarjeve. Disa prej këtyre rasteve datojnë që nga fillimi i viteve ’90, ndërsa rrëfimi më i freskët përfshin publikimin nga CNN të një videoje tronditëse të vitit 2016, ku Combs shihej duke dhunuar fizikisht Ventura në një hotel.
Përkundër suksesit të tij të madh në muzikë dhe biznes, përfshirë bashkëpunimet me yje si Mary J. Blige, Jennifer Lopez dhe marka të njohura si vodka Cîroc, trashëgimia e Diddy-t është tashmë e errësuar nga akuzat e rënda dhe vendimi i fundit gjyqësor. Data e dënimit nuk është caktuar ende, por ky proces ka dhënë një mesazh të qartë: askush nuk është mbi ligjin.
© SYRI.net