Ndërsa Rripi i Gazës përballet me një katastrofë humanitare të paparë për shkak të luftës dhe bllokadës së vazhdueshme të Izraelit, kritikat janë rritur ndaj përpjekjeve të shumta të dështuara të bëra nga SHBA-të për të sjellë ndihma në enklavën e rrethuar.
Pavarësisht njoftimeve të profilit të lartë dhe iniciativave të kushtueshme logjistike, vëzhguesit argumentojnë se Uashingtoni ka bërë pak për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve në Gaza.
“SHBA-të kanë dështuar vazhdimisht të sigurojnë që nivelet e duhura të ndihmës të arrijnë tek palestinezët që nga fillimi dhe madje edhe para 7 tetorit, kur Gaza ishte nën bllokadë”, tha për Anadolu Chris Doyle, drejtor i Këshillit për Mirëkuptim Arabo-Britanik (Caabu).
“Vetë fakti që SHBA-të u detyruan të përdornin dërgesat nga ajri dhe atë skelë qesharake është një tregues i masave ekstreme që ata do të merrnin për të shmangur ushtrimin e presionit mbi Izraelin që të lejonte hyrjen e ndihmave”, shtoi ai.
Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet kufitare të Gazës për ushqim, furnizime mjekësore dhe ndihma të tjera humanitare që nga 2 marsi, duke e përkeqësuar më tej situatën tashmë të rëndë humanitare, sipas raporteve zyrtare, të të drejtave të njeriut dhe raporteve ndërkombëtare.
Një vështrim më i afërt i nismave të udhëhequra nga SHBA-të, duke përfshirë ndërtimin e një skele lundruese dhe punësimin e kontraktorëve ushtarakë, sugjeron se përpjekjet kanë dështuar kryesisht të sjellin ndonjë lehtësim domethënës për palestinezët në terren.
Përpjekjet për shpërndarjen e ndihmave në Gaza
Më 27 maj, Izraeli nisi një mekanizëm të diskutueshëm shpërndarjeje ndihmash në Gaza, të mbështetur nga SHBA-të, përmes një grupi amerikan të quajtur Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF). Plani, i parë nga kritikët si një përpjekje për të anashkaluar kanalet humanitare të udhëhequra nga OKB-ja, ka tërhequr kundërshtime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja.
Megjithatë, operacioni që atëherë është bërë vdekjeprurës. Në javën e parë, të paktën 49 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 300 të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave që kur mekanizmi hyri në fuqi, sipas zyrës së medias së qeverisë së Gazës.
Procesi “çnjerëzor” i shpërndarjes ka tërhequr kritika të ashpra, me disa që i krahasojnë skenat me “kampe përqendrimi”, duke përshkruar civilë të uritur që presin me orë të tëra pas gardheve metalike në komplekse të ruajtura.
Kritikët kanë shprehur gjithashtu shqetësime se detyrimi i palestinezëve për të udhëtuar distanca të gjata për në pikat e shpërndarjes në Gazën jugore mund të kontribuojë në zhvendosjen e detyruar dhe të rrezikojë jetët.
Vetëm një ditë para se GHF të fillonte operacionet, drejtori ekzekutiv i saj, Jake Wood, një veteran i ushtrisë amerikane, dha dorëheqjen, duke deklaruar se nuk mund t’i pajtonte praktikat e organizatës me “parimet humanitare të njerëzimit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë”.
GHF është përballur gjithashtu me dënim nga autoritetet lokale. Zyra e medias e qeverisë së Gazës tha se plani i shpërndarjes së ndihmës në "të ashtuquajturën zonë tampon ka dështuar në mënyrë katastrofike".
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce, tha të martën e kaluar se GHF kishte shpërndarë 462,000 vakte për palestinezët nëpërmjet 8,000 kutive ushqimore. Megjithatë, deklarata shkaktoi skepticizëm të mëtejshëm mbi efikasitetin dhe paanshmërinë e nismës.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) paralajmëroi se narrativat që përqendrohen në aktivitetet e GHF rrezikojnë të largojnë vëmendjen nga nevojat më urgjente humanitare në Gaza, duke përfshirë aksesin e qëndrueshëm në ndihmë, kushtet e sigurta të dorëzimit dhe miratimin e përshpejtuar të furnizimeve emergjente.
Analisti Doyle tha se plani i hartuar nga SHBA-ja dhe Izraeli, shkel parimet themelore humanitare dhe nuk arrin të ofrojë ndihmë në shkallën e nevojshme.
“Pra, në vend që të shpërndahet ndihma në bazë të nevojës, kjo bëhet sipas ambicieve politike të qeverisë izraelite”, tha ai.
Organizatat ndërkombëtare të ndihmës janë distancuar nga GHF.
Tommaso Della Longa, zëdhënës i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), i tha Anadolu-t se organizata e tij nuk është e përfshirë në mekanizmin e ndihmës SHBA-Izrael, duke vënë në dukje se ai nuk përputhet me parimet themelore të IFRC-së për humanizmin, paanshmërinë, neutralitetin dhe pavarësinë.
“Qëndrimi ynë është që ofrimi i ndihmës humanitare duhet të udhëhiqet nga parimet humanitare për të siguruar që ata që kanë më shumë nevojë të marrin ndihmë”, tha ai.
Janë ngritur gjithashtu shqetësime në lidhje me përfshirjen e kontraktorëve privatë të sigurisë amerikane në procesin e ndihmës. Personeli i armatosur nga dy firma - Safe Reach Solutions (SRS) dhe UG Solutions - thuhet se po siguron vendet e GHF.
TRIAL International, një OJQ me seli në Zvicër, u ka bërë thirrje autoriteteve zvicerane të hetojnë GHF-në me seli në Gjenevë, duke përmendur shqetësime në lidhje me përdorimin e kontraktorëve privatë ushtarakë dhe rreziqet e mundshme që u paraqiten civilëve në Gaza.
Duke komentuar mbi përdorimin e kontraktorëve, Longa tha: “Futja e kontraktorëve privatë në ofrimin e ndihmës humanitare, rrezikon politizimin e reagimit dhe mund të kompromentojë sigurinë dhe perceptimin e punonjësve humanitarë në terren.”
Skela lundruese në SHBA, shembet nën presion
Një tjetër iniciativë amerikane — një skelë lundruese prej 230 milionë dollarësh e ndërtuar pranë brigjeve të Gazës në maj — gjithashtu dështoi plotësisht.
E themeluar nga ushtria amerikane dhe e mbështetur nga administrata e mëparshme e Biden, skela funksionoi për vetëm rreth 20 ditë përpara se deti i trazuar ta dëmtonte strukturën, duke ndaluar shpërndarjen e ndihmave.
Ushtria amerikane njoftoi në korrik se kishte përfunduar misionin e përkohshëm për të instaluar dhe operuar skelën, për shkak të sfidave logjistike dhe të sigurisë.
Salama Marouf, kreu i zyrës së medias qeveritare të Gazës, tha vitin e kaluar se moli i ndërtuar nga SHBA-të "është i padobishëm" dhe nuk kishte arritur të kishte ndonjë ndikim domethënës.
Sipas Marouf, vetëm ekuivalenti i 120 kamionëve me ndihma kaloi nëpër skelë në një territor prej rreth 2 milionë banorësh që kanë vuajtur nën bllokadën e Izraelit për gati 20 muaj. Marouf i mbajti SHBA-të përgjegjëse për pasojat e krizës aktuale humanitare në Gaza.
Retorika kontroverse e 'zhvillimit'
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është përballur gjithashtu me reagime të ashpra për shkak të diskursit të saj kontrovers mbi zhvillimin e Gazës pas luftës.
Në shkurt, Trump tha se SHBA-të do të merrnin kontrollin e Rripit të Gazës dhe do ta transformonin atë në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, duke shkaktuar dënime në rajon dhe në të gjithë botën.
“SHBA-të do të marrin kontrollin e Rripit të Gazës dhe ne do të bëjmë një punë edhe me të. Do ta zotërojmë atë”, tha Trump në një konferencë shtypi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Të gjithë ata me të cilët kam folur e duan idenë që Shtetet e Bashkuara të zotërojnë atë copë toke, të zhvillojnë dhe krijojnë mijëra vende pune me diçka që do të jetë madhështore”, shtoi ai.
Vërejtjet shkaktuan reagime të forta ndërkombëtare, përfshirë edhe nga aleatët e Uashingtonit, dhe tërhoqën paralajmërime nga OKB-ja se “çdo zhvendosje e detyruar e njerëzve do të ishte e barabartë me spastrim etnik”.
Ekipi i Trump është përpjekur që atëherë t’i minimizojë komentet, duke pretenduar më vonë se propozimet kishin për qëllim zhvendosjen e përkohshme, jo të përhershme, të palestinezëve./ AA.
© SYRI.net