Gati një dekadë pas grabitjes së bujshme të Kim Kardashian në Paris, një gjykatë franceze shpalli fajtorë tetë persona të përfshirë në këtë akt kriminal, përfshirë organizatorin e bandës së njohur si “Gjyshërit Hajdutë”. Banda kishte hyrë me forcë në apartamentin luksoz të yllit të reality show-t gjatë Javës së Modës në vitin 2016, duke i vjedhur bizhuteri me vlerë miliona dollarë. Megjithatë, asnjë nga të pandehurit nuk do të vuajë më dënim me burg, për shkak të kohës së kaluar tashmë në paraburgim dhe vendimit të gjykatës për të dhënë dënime më të lehta.
Kryetari i gjykatës, David De Pas, u shpreh se mosha dhe gjendja shëndetësore e të pandehurve ndikuan në vendimin për të mos i burgosur. Ai përmendi gjithashtu kalimin e nëntë viteve nga momenti i krimit deri në vendimin gjyqësor si një faktor lehtësues. Udhëheqësi 69-vjeçar i bandës, Aomar Aït Khedache, mori tetë vjet burg, pesë prej të cilëve me kusht, ndërsa të tjerët u dënuan me burgime që variojnë nga tre në shtatë vjet, kryesisht me kusht.
Kardashian dëshmoi më herët këtë muaj në Paris, ku ndau me gjykatën momentet e frikshme kur mendoi se do të përdhunohej e vritej. “Besova se nuk do t’i shihja më kurrë fëmijët e mi,” rrëfeu ajo. Në reagimin e saj pas vendimit, ajo tha se ishte “thellësisht mirënjohëse ndaj autoriteteve franceze për vendosjen e drejtësisë”, duke shtuar se ngjarja ka lënë një ndikim të përhershëm në jetën e saj.
Avokati i saj konfirmoi se Kardashian e kishte falur publikisht organizatorin e grabitjes pas një letre me kërkimfalje të lexuar në gjykatë. “E vlerësoj letrën, të fal. Por kjo nuk e ndryshon traumën dhe jetën time të ndryshuar përgjithmonë,” u shpreh ajo. Me vendimin e gjykatës, një nga episodet më të diskutuar të jetës së saj publike mbyllet ligjërisht, por jo emocionalisht.
© SYRI.net