Lekaj: Normalizimi i hapësirës ajrore me Serbinë, s'duhet të kushtëzohet me heqjen e taksës

Lekaj: Normalizimi i hapësirës ajrore me Serbinë, s'duhet të kushtëzohet me heqjen e taksës

18:04, 21/01/2020

Marrëveshja për operimin e kompanisë ajrore “Lufthansa” në linjën Prishtinë-Beograd, të nënshkruar dje në një ceremoni të veçantë në Ambasadën amerikane në Berlin, po konsiderohet një hap pozitiv për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtues të institucioneve të vendit deklarojnë se aviokompania gjermane “Lufthansa” synon të hapë korridorin ajror Prishtinë-Beograd.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, duke komentuar kushtëzimet e autoriteteve të Serbisë për zbatimin e kësaj marrëveshje, tha për KosovaPress se nuk duhet të bëhet kompromis për heqjen e taksës 100 për qind.

Lekaj thotë se falë përkrahjes së SHBA-së, kjo letër e përafrimit do të ndikojë dukshëm edhe krijimin e korridorit për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Serbisë nga aviokompanitë që aterrojnë në aeroportin “Adem Jashari”, si dhe do të shkurtojë hapësirën edhe në kohë për rreth 30 minuta, por edhe për zbritjen e çmimeve të biletave.

“Ne kemi vetëm një fillim të mbarë, Beograd – Prishtinë dhe Prishtë – Beograd, dhe nuk është për vendet e pesta për hapësirën ajrore. Megjithëkëtë, ky është një hap shumë përpara që ne të krijojmë korridore në këtë drejtim dhe të përdoret edhe hapësira ajrore e Serbisë për aviokompanitë që aterojnë në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Është një spekulim asnjë herë nuk është përmendur heqja e taksës për firmosjen e kësaj marrëveshje. Në asnjë moment nuk është diskutuar heqja e taksës. E them, se në këtë drejtim nuk kisha bërë kompromis”, thotë Lekaj.

Kosova aktualisht ka vetëm një korridor ajror me Maqedoninë e Veriore, megjithëkëtë ministri në detyrë Lekaj nuk përjashton mundësinë që Kosova shumë shpejt do të ketë korridor ajror edhe me Shqipërinë.

“Kur e themi këtë, ne nuk mund të ndalemi, me Shqipërinë nuk kemi asnjë problem sa i përket korridoreve dhe raporteve tona. Por, mund të them se ne po insistojmë që ne të marrim përgjegjësi edhe për hapësirën e ulët ajrore që është përgjegjësi e NATO-s. Ne jemi duke komunikuar, se kur do të ndodhë do të informoheni shumë shpejt”, deklaron ai. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco